RTSH 24 Live

Aktualitet

Covid-19/ Ministria e Shëndetësisë: Në 24 orët e fundit 8 viktima, 256 të infektuar

07/04/2021

Covid-19/ Ministria e Shëndetësisë: Në 24 orët e fundit 8 viktima, 256 të infektuar

Shqipëria ka njohur sërish një rritje të rasteve të reja me covid gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Shëndetësisë njofton se janë kryer 2538 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 256 qytetarë. Shifër më e lartë se dje ku u raportua për vetëm 141 të infektuar.

"Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:
31 raste në Shkodër, 29 raste në Korçë, 28 raste në Tiranë, 19 raste në Fier, Berat, 15 raste në Durrës, 10 raste në Elbasan, Gjirokastër, 9 raste në Vlorë, 8 raste në Devoll, 7 raste në Krujë, 6 raste në Lushnje, Pogradec, Ura Vajgurore, 5 raste në Kukës, Patos, 4 raste në Tepelenë, Peqin, Skrapar, 3 raste në Tropojë, Delvinë, Malësi e Madhe, Prrenjas, 2 raste në Lezhë, Mirditë, Mallakastër, Vau i Dejës, Dibër, 1 rast në Kurbin, Kavajë, Mat, Sarandë, Fushë Arrëz, Selenicë, Kolonjë, Finiq, Poliçan."

Gjatë 24 orëve të fundit 8 persona nuk e fituan dot betejën me covid, duke e çuar në  2291 numrin total të viktimave që nga fillimi i pandemisë. Dje u raportua për 8 të vdekur.

"Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 8 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 2 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Tirana, 1 qytetar nga Vlora,1 qytetar nga Përmeti, 1 qytetar nga Kolonja, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 67 - 84 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve."

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.