RTSH 24 Live

Europë

COVID-19, Liderët botërorë thirrje për traktat ndërkombëtar të pandemisë

04/04/2021

COVID-19, Liderët botërorë thirrje për traktat ndërkombëtar të pandemisë

Kryeministri Boris Johnson i është bashkuar më shumë se 20 udhëheqësve botërorë në thirrjen për një zgjidhje të re globale, për të ndihmuar botën të përgatitet për pandemitë e ardhshme, sipas BBC.

Liderët botërore, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, thanë se “Covid-19 paraqet sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“Pandemia ka treguar së askush nuk është i sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt”, theksuan ata.

Sipas 24 udhëheqësve, një traktat i ngjashëm me atë të arritur pas Luftës së Dytë Botërore është i nevojshëm për të ndërtuar bashkëpunimin ndërkufitar.

Qëllimet ishin të qarta: Për të bashkuar vendet, për të shpërndarë tundimet e izolimit dhe nacionalizmit dhe për të adresuar sfidat që mund të arriheshin vetëm së bashku në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit, domethënë paqja, prosperiteti, shëndeti dhe siguria.

Liderët thanë në të njëjtën frymë, se vendet tani duhet “të jenë më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj pandemive në një mënyrë shumë të koordinuar”.

“Do të ketë pandemi të tjera dhe emergjenca të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri e vetme ose agjenci shumëpalëshe nuk mund ta trajtojë këtë kërcënim vetëm. Çështja nuk është nëse, por kur”, ishte deklarata e tyre e përbashkët.

Një traktat i ri do të ndihmonte në krijimin e sistemeve më të mira për njoftimin e njerëzve për pandemitë e mundshme, ndërsa përmirëson gjithashtu ndarjen e të dhënave dhe shpërndarjen e vaksinave, si edhe të pajisjeve mbrojtëse personale.