RTSH 24 Live

Aktualitet

Covid-19, Gjirokastra me 9000 pasaporta vaksinimi

15/05/2021

Covid-19, Gjirokastra me 9000 pasaporta vaksinimi

Mbi 9000 mijë banorë të Gjirokastrës janë pajisur tashmë me pasaportën e vaksinës antiCovid, ndërkohë që gjatë 3 muajve janë kryer mbi 14.500 vaksinime, përfshirë edhe bashkitë Dropull e Libohovë. Me këtë ecuri të procesit  të vaksinimit, marrë parasysh se edhe 40% e popullsisë e ka kaluar Covidin, Shefi i Shërbimit Epidemiologjik në Gjirokastër Arenc Brahimi thotë se tashmë Gjirokastra e ka realizuar imunizimin e tufës. Kjo duket qartë edhe në rastet ditorë të të infektuarve  të cilët janë sporadikë, në dy javët e para të muajit Maj.

“Sipas statistikave, që kemi ne si shërbim, më shumë se 40% e kanë kaluar Covid -19. Po ashtu, paralelisht ne po ecim  dhe me vaksinimin e popullatës. Deri tani kemi kryer mbi 14.500 vaksinime. Mbi 9000 persona tashmë janë plotësisht të vaksinuar. Referimet nga mjekët e familjes për rastet pozitivë sa vijnë e ulen. Kjo është pozitive. Gjatë 15 ditëve të para të Majit numri i të infektuarve ka pësuar ulje madje prej disa ditësh kemi pasur 0 të tillë. Ne si shërbim punojmë me tri qendra vaksinimi  që funksionojnë edhe në fundjavë. U bëjmë thirrje qytetarëve gjirokastritë që nëqoftëse kanë afatet e datave për vaksinën të paraqiten çdo ditë pas orës 08.30. “  - thotë Arenc Brahimi, shef i shërbimit.

Të ekzaminuar përmes testeve ne Gjirokastër numërohen 3000 të infektuar me Covid që prej fillimit të pandemisë, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm është diagnostikuar nga skaneri.