RTSH 24 Live

Aktualitet

Covax njofton se do ta furnizojë Kosovën me vaksina deri në maj

02/03/2021

Covax njofton se do ta furnizojë Kosovën me vaksina deri në maj

Aleanca Covax ka publikuar listën e vendeve të cilat do të furnizohen me vaksina në periudhën mars-maj. Një nga këto vende është edhe Kosova. Në këtë listë është edhe Shqipëria. Covax ka publikuar listën e vendeve të cilat do të furnizohen me vaksina deri në fund të muajit maj. Në këtë listë është vendosur edhe Kosova. Kosova pritet të përfitojë 100 mijë e 800 vaksina AstraZeneca të prodhuara nga Instituti i Indisë “Serum”.

Covax ka deklaruar se furnizimi do të bëhet në afatet kohore shkurt-mars dhe prill-maj, por koha e dorëzimit varet nga disa faktorë duke përfshirë miratimin nga vendet përfituese për përdorimin e vaksinës, disponueshmërinë e prodhimit, dhe kritere tjera sikurse planet e vaksinimit dhe marrëveshjet e dëmshpërblimit, autorizimet e importit, etj.

Dorëzimet në këtë fazë kanë filluar në dy vende afrikane në Gana dhe Bregun e Fildishtë, të cilat janë furnizuar me nga 500 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca të prodhuara nga Instituti Serum.

“Dorëzimet e mëtejshme janë duke u zhvilluar këtë javë dhe sapo të bëhen të gatshme dozat tjera do të vazhdojnë të dorëzohen në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Covax.

Në këtë listë është edhe Shqipëria, por si vet-financuese e 120 mijë vaksinave.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës,  gjatë ditës së djeshme ka bërë publike disa informacione të cilat kanë të bëjnë lidhur me angazhimet për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. MSH-ja thotë se ka kryer të gjitha kriteret e kërkuara për sigurimin e vaksinave, dhe se janë duke pritur konfirmimin final nga COVAX për arritjen e dozave të para.

MSh-ja në njoftim ngul këmbë se janë bërë të gjitha përpjekjet për t’u siguruar vaksina, ndërkohë që pranon se me kompaninë Pfizer nuk ka firmosur kontratë, ndonëse më herët ishte thënë nga Hoti e Zemaj, se nga kjo kompani janë siguruar 500 mijë vaksina.

“Më 8 janar, MSh-së i është konfirmuar sërish se 500.000 vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën. Në takimin 8 janarit, palët janë dakorduar që brenda javës, MSh-së t’i dërgohet edhe marrëveshja finale për nënshkrim. Në çdo takim, pas 8 janarit, MSh ka kërkuar që palët ta kenë për nënshkrim marrëveshjen finale. Edhe pse MSh-së i është thënë nga përfaqësuesit e Pfizer se marrëveshja është e gatshme dhe do të dërgohet për nënshkrim, MSh se ka pranuar ende marrëveshjen në fjalë, dhe nuk është shpjeguar nga kompania në fjalë as pse ka vonesa në këtë drejti”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, MSH-ja ka thënë se që nga muaji korrik 2020, ka filluar aktivitetet për të siguruar qasje sa më të shpejtë në sigurimin e vaksinës, në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere.

Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 28 shkurt, 2021, Kosova ka regjistruar 69.230 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre, 1.599 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 59.849 pacientë janë shëruar. Raste aktive janë 7.782.