RTSH 24 Live

Aktualitet

Çmimet në bregdet gjatë verës, pushuesit vendasit dhe të huajt ndajnë opinione të ndryshme

10/07/2024

Çmimet në bregdet gjatë verës, pushuesit vendasit dhe të huajt ndajnë opinione të ndryshme

Pushimet, për çdo familje mbartin koston e tyre. Kamera e RTSH ishte në qytetin bregdetar të Vlorës, ku sezoni veror këtë vit është shoqëruar edhe me rritje të çmimeve në shërbime. Pushuesit vendas thonë se kjo rritje ka ndikuar në zvogëlimin e ditëve të qëndrimit në plazh. 

Ndërsa për turistët e huaj, Shqipëria mbetet një destinacion ku qëndrimi në hotele dhe ngrënia në restorante janë mëse të përballueshme.  "Jam nga Berlini. Kemi qenë jo vetëm në Vlorë, kemi vizituar Tiranën, Shkodrën, pas dy ditësh do shkojmë në Sarandë, më pas në Ksamil. E dua Shqipërinë. Tirana ishte shumë vend urban, më pëlqejnë njerëzit,  ushqimi. Çmimet janë të janë të lira krahasuar me Gjermaninë, Francën, Spanjën Portugalinë. Kemi marrë apartament në air b&b dhe paguam 35 euro nata për 2 persona. E vetmja gjë që spo mësohemi është dielli shumë i nxehtë. Jam këtu me vajzën time. Hera e parë që vijmë në Vlorë,  vendi është shumë i bukur, plazhi, njerëzit...  Ushqimi i mrekullueshëm. Çmimet janë shumë të mira. 5000 lekë paguam për një natë në hotel" tha një  turiste gjermane.

Ndërsa një turist italian shprehet. "Vij nga Torino, është viti I dytë këtu. Le të themi që çmimet kanë ndryshuar  me 15-20 % më shumë. Por  përsëri mbeten të mira si çmime. Është ende me leverdi të vish këtu. Po qëndrojmë në hotel, e prenotova në mars dhe pagova 400 euro për 1 javë"

E kënaqur shprehet edhe gruaja e tij. "Unë e kam për herë të parë dhe po gjendem mirë krahasuar me Italinë. Çmimet atje me çmimet këtu kanë goxha ndryshim. Këtu më pëlqejnë shumë njerzit." thotë ajo. 

"Vijmë nga Portugalia, e zgjodhëm si një tjetër destinacion në Europë, që mund të them se e kemi shëtitur të gjithën. Çmimet, 
nëse i krahasojmë me vendin tonë, ushqimi përshembull është pak më i lirë. Por hoteli, akomodimi janë pak a shumë të njëjtë me 
portugalinë.  Jemi 5 persona dhe paguam rreth 120 euro për dhomën në natë" thotë një turiste portugeze.

Ende nuk ka një analizë të qartë mbi ndikimin që ndryshimi i çmimeve ka në numrin e turistëve që vizitojnë Vlorën, por në 
pretendimet e tour opeatiorëve fluksi është larg pritshmërive.

Gazetare Afrovita Hysaj

/ rtsh.al /