RTSH 24 Live

Ekonomi

Çmimet e karburanteve në dhjetor dhe tregu vendas, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë: Priten ndryshime

17/11/2022

Çmimet e karburanteve në dhjetor dhe tregu vendas, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë: Priten ndryshime

Sasia e naftës së papërpunuar, që do të shitet në muajin dhjetor 2022, shënon tregues në rritje. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka deklaruar se eksportet ruse të naftës u rritën me 165,000 fuçi në ditë, duke arritur në 7.7 milionë fuçi në ditë.

Eksportet ruse në Evropë arritën në 1.5 milion fuçi në ditë, por 1.1 milion fuçi në ditë prej tyre, do të ndalen në dhjetor, me sanksione të reja. Agjencia tha se mbetet e paqartë se si Moska do t'i rishpërndajë ato fuçi te blerësit e tjerë globalë.

Ndërkohë inventarët e naftës në ekonomitë e zhvilluara janë në nivelin më të ulët që nga viti 2004, sipas Raportit të tregut të naftës të nëntorit të IEA-s. Embargot e BE-së ndaj importeve ruse të papërpunuara dhe produkteve të naftës do të shtrëngojnë edhe më tej tregjet e naftës.

Grafiku tregon tendencën e çmimit të naftës së papërpunuar që do të shitet gjatë muajit dhjetor 2022. Tregjet e naftës, në veçanti, do të shtrëngohen, megjithëse çmimet më të larta do të çojnë përfundimisht në shkatërrim më të madh të kërkesës.

Inventarët më të ulët të naftës në ekonomitë e zhvilluara që nga viti 2004, do të kombinohen me embargon e ardhshme të BE-së ndaj importeve të naftës ruse, për të shtrënguar më tej tregun e naftës dhe tregjet tashmë "jashtëzakonisht të shtrënguara" të naftës, tha një ditë më parë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

“Embargo e BE-së ndaj importeve ruse të naftës bruto dhe produkteve të naftës dhe ndalimi i shërbimeve detare do të shtojnë presion të mëtejshëm mbi bilancet globale të naftës, dhe, në veçanti, mbi tregjet tashmë jashtëzakonisht të shtrënguara të naftës. Rezervat totale të naftës të OECD ranë nën 4 miliardë fuçi për herë të parë që nga viti 2004, sipas vlerësimeve të IEA. Ato nivele të ulëta të inventarit dhe embargoja ndaj importeve të BE-së të naftës bruto dhe produkteve ruse po të shqetësojnë tregun aktualisht të ekuilibruar”, bën të ditur IEA.

Shqipëria prej disa kohësh nuk po furnizohet drejtpërdrejt nga tregu i lirë rus. Së fundi, importet e naftës në depozitat bregdetare po sigurohen nga kompani austriake dhe po sigurohen nga tregje që kanë lidhje me naftën ruse, por kanë çmim më të lartë se sa tregu bazë. Në çmimet e shitjes me pakicë kanë rezultuar ulje të njëpasnjëshme në vlera të vogla, por tregu ende vijon të mbetet në fashën e lartë të çmimeve. Ekspertët thonë se pritet një ndryshim në çmimet e shitjes me pakicë në ditët që vijnë.

/rtsh/