RTSH 24 Live

Politikë

Çështja McGonigal/ Pas kërkesës së SPAK, Gazmend Bardhi dorëzon akt padinë e prokurorisë amerikane

31/01/2023

Çështja McGonigal/ Pas kërkesës së SPAK, Gazmend Bardhi dorëzon akt padinë e prokurorisë amerikane

Pas kërkesës së SPAK për dorëzimin e dokumenteve që disponon për çështjen McGonigal, deputeti demokrat Gazment Bardhi ka dorëzuar akt padinë e prokurorisë amerikane.

Përmes një letre, Bardhi njofton SPAK për dorëzimin e dokumenteve mbi të cilat ka bërë edhe kallëzimin ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa shpreh besimin e plotë në zbardhjen e kësaj çështje. Deputeti shkruan se i ka dorëzuar SPAK akt-padinë e Prokurorisë së Kolumbias.

Vetëm pak orë më herët SPAK i dërgoi kërkesë deputetit demokrat, Gazment Bardhi në lidhje me kallëzimin e bërë për kryeministrin Edi Rama për çështjen “McGonical”, që t’i vërë në dispozicion materialet fillestare të drejtësisë amerikane, të cilat ai i ka përmendur në kallëzim.

Deputeti Gazmend Bardhi kallëzoi në SPAK më 24 janar kryeministrin Edi Rama, ku e akuzon se ka paguar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.

Kallëzimi i Bardhit erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal në New York për akuzat se ndihmoi një oligark rus të sanksionuar nga SHBA. McGonigal akuzohet gjithashtu se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

Letra e deputetit Gazmend Bardhi për SPAK

/rtsh.al/