RTSH 24 Live

Rajon

Cencusi i popullsisë në Serbi, Kurti thirrje shqiptarëve: Merrni pjesë, regjistroni veten

02/10/2022

Cencusi i popullsisë në Serbi, Kurti thirrje shqiptarëve: Merrni pjesë, regjistroni veten

Nga data 1 deri në 31 tetor, në Serbi zhvillohet censusi i popullsisë, pronave dhe banesave ku  kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Serbi të marrin pjesë në të. 

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kurti tha se shqiptarët që jetojnë në Serbi “vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar e njerëzor, e së fundmi edhe me pasivizimin e adresave të tyre”.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që t’i përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten e familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, tha Kurti.

Përfaqësuesit politikë nga të gjitha partitë që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Serbi, përmes një deklarate të nënshkruar në korrik të këtij viti, u zotuan se do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, pronave dhe banesave në Serbi.

Shqiptarët në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, bojkotuan regjistrimin e popullsisë që 2011. Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, kryesish në tri komunat në jug, që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës. 

Në vazhdimësi, partitë politike të shqiptarëve në Serbi janë ankuar se pakica shqiptare përballet me diskriminim. Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për procesin e pasivizimit të adresave, që sipas politikanëve shqiptarë, po bëhet për të ndryshuar “strukturën etnike” të tri komunave ku jeton shumica e pakicës shqiptare në Serbi.

Komiteti i Helsinikit për të drejtat e njeriut në Serbi, u shpreh vitin e shkuar  se Beogradi, në mënyrë që të ulë numrin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, po kryen procesin e “pasivizimit të banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Kosovë apo në shtetet evropiane.

Sipas Komitetit të Helsinkit, kur një adresë e banimit pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, “ai person praktikisht pushon së ekzistuari”. Personave që u pasivizohen adresat nuk mund të pajisen me letërnjoftim apo pasaportë të re dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë automjetet e tyre, , të blejnë apo shesin prona, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe në shërbimet sociale dhe të votojnë në zgjedhje, qofshin ato lokale apo të përgjithshme.

/rtsh.al/