RTSH 24 Live

Letërsi

Çelet Panairi i 25-të i Librit në Tiranë! Veliaj: Libri është ushqim për shpirtin dhe mendjen, largohuni nga kafenetë

16/11/2022

Çelet Panairi i 25-të i Librit në Tiranë! Veliaj: Libri është ushqim për shpirtin dhe mendjen, largohuni nga kafenetë

Edicioni i 25-të i Panairit të Librit u çel të mërkurën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ai konsiderohet ngjarja më e madhe e librit në vend, sepse mbledh gjithë faktorët që bëjnë librin shqip,  jo vetëm  nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe më gjerë. 

Në hapjen e Panairit të Librit 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët ta vizitojnë stendat e librit. Veliaj tha se në Tiranë sot janë hapur më shumë biblioteka se kurrë më parë, të cilat së bashku me Muzeun Kadare dhe Muzeun Agolli, janë një ftesë për t’u larguar nga kafenetë e për t’u afruar edhe më shumë me librin.

“Të promovosh sot, në epokën digjitale, në epokën e lajmeve tre sekondëshe, të Tik Tok dhe Instagramit, të story dhe reels-ve librin, është vërtet një punë e mundimshme, por edhe një punë e bukur, e cila meriton gjithë mirënjohjen tonë. Për të gjithë ata që mendojnë se librat janë vetëm për një pjesë të vogël të shoqërisë, duhet të kuptojnë se libri prodhon ekonomi. Kemi hapur “Muzeun Kadare”, për t’i kthyer qytetit dhe stacione muzeale për njerëzit e librit. Do të hapim shumë shpejt “Muzeun Agolli”. Më vjen mirë që kemi hapur bibliotekat e lagjeve sërish, duke filluar nga “Musine Kokalari”, tek “Misto Treska”, tek “Moikom Zeqo”, tek “Petro Zheji”, tek “Hamit Beqja”. Kush do ushqim për shpirtin, për mendjen dhe për t’u hapur ndaj dijes, e ka këtë fundjavë te “Pallati i Kongreseve”. Kush nuk i do këto dhe ndihet i ngopur dhe mendon që i di të gjitha, Tirana ka edhe 10 mijë kafene, që sigurisht do kenë biznesin e tyre, por unë besoj fort se nëse secili prej nesh e merr seriozisht këtë sloganin ‘jemi të gjithë lexues’, secili prej nesh mund të japë një kontribut,” tha Veliaj.

Organizatorët shpresojnë një numër të lartë pjesëmarrësish pas kufizimeve për shkak të pandemisë së zgjatur të covid 19. Botuesit shqiptarë kanë shprehur shqetësimin se rritja e çmimit të letrës do të sjellë shtrenjtim të mëtejshëm të çmimit të librit. Efektet e para janë shfaqur në rritjen e çmimeve me pakicë të librave në panair.

Botuesit ritheksuan shqetësimin se duhet të ketë një politikë më të favorshme fiskale për ta. Ata kujtuan se në prodhimin e librave taksa është vetëm 5%, ndërsa në Shqipëri shumë më e lartë.

Rikthimi pas shumë vitesh i TVSH-së së librit në janar të vitit 2019 dhe së fundi procesi i fiskalizimit që ka përfshirë edhe operatorët e tregut të librit, e kanë vënë në vështirësi të mëtejshme këtë treg.

/rtsh.al /