RTSH 24 Live

Kulturë

Çelet bonusi i rijetëzimit të shtëpive muze, Elva Margariti: Përparësi të rinjtë, gratë, emigrantët

08/02/2023

Çelet bonusi i rijetëzimit të shtëpive muze, Elva Margariti: Përparësi të rinjtë, gratë, emigrantët

Nga 100 milionë lekë që ishte vitin e kaluar që ishte edhe vitlindja e tij, 150 milionë do të jetë këtë vit i ashtuquajturi bonus i rijetëzimit i trashëgimisë kulturore, që përfshin dy lloj ndërhyrjesh: mirëmbajtjen dhe konservimin qoftë të fasadave, çative, dyerve, e shumëçka që përmban një ndërtesë e një ansambli historik apo qendre historike.

E për këtë jepet 1 milion lekë për çdo ndërtesë, dhe nga 5 milionë që ishte vjet deri në 6 milionë lekë këtë vit për llojin e dytë të ndërhyrjes, për ata që duan që shtëpitë e tyre, pjesë e trashëgimisë kulturore të restaurohen dhe rijetësohen duke u shndërruar në bujtina, dyqane artizanati, suveniresh, hotele, galeri arti, videoteka, librari, agjenci turistike, pikë informacioni për turistët, gastronomi për produktet vendase etj.

Vetë ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka ditë që ka lëshuar edhe personalisht thirrjen për gjithë ata pronarë e përdorues të objekteve muzeale, që të aplikojnë pasi afati i aplikimit është deri në 10 mars 2023, përmes portalit e-albania.al!

Bonuset e rijetëzimit përpiqen të riparojnë pak nga pak edhe tjetërsimet arkitekturore që pronarët e ligjshëm iu kanë bërë shtëpive të tyre. Vitin e kaluar nga 60 aplikime fituan 40, kryesisht nga Berati, Gjirokastra, Kruja, Korca, Pogradeci etj dhe ndryshimet u ndjenë në jetën e tyre dhe në qytet.

/rtsh/