RTSH 24 Live

Aktualitet

Byroja Kombëtare e Hetimit drejt ngritjes përfundimtare

21/11/2020

Byroja Kombëtare e Hetimit drejt ngritjes përfundimtare

Byroja Kombëtare e Hetimit po shkon drejt finalizimit, shkruan sot.com.al. 
Komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve ka mbyllur të premten intervistat me 55 emra dhe ka kualifikuar 39 kandidatë për në fazën e fundit, atë të poligrafit. 
Përmes një njoftimi për mediat, BKH bën me dije kandidatët e kualifikuar, do ti nënshtrohen Testit të Poligrafit. 
Faza e intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri. Sipas ligjit, Byroja e Hetimit do të ketë minimalisht 60 hetues. Pas intervistës janë skualifikuar 16 emra dhe mund të ndodhë që gjatë verifikimit të deklaratave dhe poligrafit të largohen dhe emra të tjerë. Megjithatë pavarësisht nga numri Byroja e Hetimit do të nisë menjëherë punën. Kandidatët që do të përzgjidhen do të dërgohen në SHBA për trajnim. Më pas Aida Hajnaj do të rihapë garën dhe do të ketë një proces të dytë për përzgjedhjen e hetuesve. Ndërkohë që gjatë diskutimeve në Kuvend për buxhetin e ri, BKH paralajmëroi se do të ketë 80 hetues.
Edhe pse Byroja e Hetimit do të quhet e kompletuar pasi të jenë përzgjedhur hetuesit dhe stafi i administratës, në prapaskenë po punohet gjithsesi. Pak ditë më parë Hajnaj firmosi një marrëveshje me Drejtorinë e Tatimeve për të luftuar pastrimin e parave, ndërsa gazeta ka mësuar se kanë nisur konsultat dhe me ndërkombëtarët sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një ndër organizatat e para ndërkombëtare që do të asistojë BKH është EUROPOL.