RTSH 24 Live

Sociale

Buxheti 2025, Veliaj: Ushqim falas për nxënësit e shkollave të Tiranës; nga 1 janari aboneja falas për pensionistët”

4 orë para

Buxheti 2025, Veliaj: Ushqim falas për nxënësit e shkollave të Tiranës; nga 1 janari aboneja falas për pensionistët”

Viti 2025 do të sjellë një transformim rrënjësor sa i takon trajtimit të nxënësve në shkollat publike të kryeqytetit. Ashtu si për shtresën e pensionistëve, të cilët nga 1 janari 2025 do të udhëtojnë falas me autobus në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se pjesën më të madhe të buxhetit për të rinjtë vitin tjetër do ta marrë ushqimi falas në shkolla.

Ai tha se në këtë mënyrë çdo nxënës do të ketë një trajtim të barabartë, duke marrë si shembull edhe eksperiencën e suksesshme në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit.

“Ajo që kemi parë në shumë prej shkollave tona është se në lagje të ndryshme të Tiranës, fëmijët ushqehen ndryshe. Qartazi ka mungesa të kalorive dhe vitaminave. Prandaj, Bashkia e Tiranës po sjell një filozofi solidare. Ajo që ne themi, si të majtë, është se të gjithë duhet ta kenë fillimin e barabartë. Ndaj, vendimi më i rëndësishëm i bashkisë për 2025-ën, për të këtë buxhet, është ushqimi falas për të gjithë nxënësit e Tiranës, si një mundësi për t’i dhënë të gjithë fëmijëve një fillim të barabartë”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se buxheti ka në fokus njerëzit që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke nisur nga fëmijët, studentët dhe të moshuarit. Veliaj shtoi se, edhe gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës do të vijojë të subvencionojë 100% abonenë për studentët, ashtu sikurse edhe për pensionistët.

“Më shumë nevojë kanë fëmijët dhe nxënësit, prandaj e kemi fokusin te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Po ashtu, kanë nevojë studentët, prandaj do ta subvencionojmë sërish 100% abonenë e studentit. Madje, ky është buxheti i parë që subvencionon me 192 mijë lekë në vit, 16 mijë lekë në muaj, abonenë e përgjithshme të transportit për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet tona. Do të duam që me ushqimin falas, abonenë falas dhe konviktet gjysmë të paguara nga bashkia, të sjellim një frymë të re solidare, mbështetje, të majtë dhe të bukur, për bashkinë tonë dhe për qytetin tonë”, u shpreh ai.

Veliaj u ndal te shkollat e reja në kryeqytet, duke deklaruar se gjatë vitit të ardhshëm do të ndërtohen 5 godina të reja arsimore, duke e çuar në 50 me zero rezultatin ndaj opozitës, që sipas tij kërkon të vijë në pushtet vetëm me retorikë, dhe jo me votë apo me punë.

“Edhe ciniku më i madh nuk e mohon dot realitetin e shkollave në Tiranë. Kemi ndërtuar 45 shkolla, ku njëra është më e bukur se tjetra. Kemi hapur garën për 5 shkolla të reja. Deri në fund të muajit do të kemi fituesit, që përfundimisht edhe lagjja e fundit e Tiranës, të ketë buqetën e saj të shkollave. Nisim ndërtimin e tre shkollave të reja te Astiri: një nga shkollat përfshin çerdhe, kopësht, parashkollor dhe 9-vjeçare; shkolla tjetër është 9-vjeçare, me gjimnaz, do funksionojë si shkollë e bashkuar. Tani rezultatin e kemi 45 me zero. Me këtë buxhet rezultati shkon 50 shkolla me zero. Muhabetet e tjera: “Ik ti që të vij unë, ose ik ti që na munde me 60 mijë vota, që të vij unë”, “hap ti rrugën që të vij unë”... nuk funksionon kështu. Funksionon me punë dhe me votë. Duhet t’u pëlqejmë të gjithëve apo t’u shërbejmë të gjithëve? Unë besoj se ne të bashkisë e kemi ndarë mendjen: duhet t’u shërbejmë të gjithëve”, deklaroi ai.

Buxheti i solidaritetit në çdo etapë të jetës së qytetarëve të Tiranës

“Buxheti i solidaritetit”, kështu e ka cilësuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2025.

“Ky është një buxhet solidariteti dhe i majtë, në sensin jo PS-PD, por i majtë në sensin e një politike sociale. Kush ka më shumë nevojë për mbështetje janë fëmijët dhe nxënësit, prandaj fokusin e kemi te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Kanë nevojë studentët, prandaj edhe buxheti do ta subvencionojë prapë 100% abonenë e studentit. Kanë nevojë edhe studentët që nuk janë të Tiranës, dhe që jetojnë në Qytetin Studenti, të cilëve bashkia u paguan gjysmën e pagesës së konviktit”, tha Veliaj.

Mandej, ai tha se ndihet krenar që Tirana e 2025-ës do jetë një Tiranë, jo vetëm e mbushur me aktivitete kulturore, por edhe me suport për të gjithë.

“Më vjen mirë që me këtë buxhet solidar, në 2025 do kemi një Tiranë me ushqimin në shkolla, me transportin falas për gjyshet dhe për gjyshërit, me 5 shkolla të reja, sidomos në zonat periferike të Tiranës, dhe me kontributin më të madh për artin dhe për kulturën në vitin që Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës”, përfundoi kreu i Bashkisë.

Sporti në fokus të buxhetit 2025

Tirana do ketë një tjetër stadium të madh, që do të shndërrohet në një tjetër destinacion për qytetin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë dëgjesës për buxhetin 2025 në shkollën “Sami Frashëri”, deklaroi se e njëjta gjë që u bë me stadiumin “Air Albania” do të bëhet edhe me stadiumin “Selman Stërmasi”.

Ai u shpreh se një investim i tillë i jep mundësi zonës të kthehet në një pol ekonomik dhe si shembull mori edhe investimin te Parku Olimpik.

“Duam të bëjmë të njëjtën gjë që u bë me stadiumin “Air Albania”  të bëhet edhe me stadiumin “Selman Stërmasi”, që t’i japim  Njësisë 5 një super mundësi për zhvillim, për ta kthyer në një pol ekonomik. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’. Një nga vendimet që morëm është që të bëjmë një histori suksesi si te Parku Olimpik dhe duam që këtë vit ta shfrytëzojmë maksimalisht për të bërë projektin dhe për të filluar ndërtimin aty. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe te kompleksi ‘Dajti’, me një super investim me fushën e futbollit, por edhe pjesa tjetër multisportive, multidisiplinore, të ketë gjtihashtu një investim nga Bashkia e Tiranës. Sporti, që na dha kaq shumë histori suksesi dhe krenarie këtë vit, të vazhdojë të jetë një prioritet për ne”, tha Veliaj.

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut

Kryeqytetit do t’i shtohen dy muze të rinj përgjatë vitit 2025. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një dëgjese për buxhetin e vitit të ardhshëm në shkollën “Sami Frashëri”. Ai theksoi se në kuadër të vitit kur Tirana do jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, do të investohet në dy muze lokalë.

“Një muze tashmë e kemi blerë, është në pronë të bashkisë, janë Sarajet. Fillimisht, na u desh ta mbronim që të mos digjej, pastaj e bleu Bashkia e Tiranës për ta kthyer në një muze të qytetit, një shtëpi që është vërtet monument kulture. Shtëpia tjetër është garnizoni, ndërtesa kryesore te Garda. Edhe aty duam të kemi një muze të trashëgimisë tonë lokale. Vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës do të investojmë në dy muze lokalë. Ndërkohë, për teatrin, le të më padisin ditë e natë, ai do të bëhet më i fortë, më i bukur, më i madh për 100 vitet e tjera”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë nxënësit e shkollave që të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të mbahen vitin e ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duke cekur zhvillimet në dekadën e fundit në kryeqytet, kryebashkiaku deklaroi se sot Tirana numëron rreth 11 milionë turistë, falë punës së bërë gjatë këtyre viteve, duke e shndërruar atë në një destinacion të preferuar nga të huajt për të kaluar pushimet e tyre.

“Kam një pyetje për të gjithë dyshuesit: Pse mendoni se vijnë gjithë këta turistë në Tiranë? Sot qendra është e rrethuar nga njerëz që po festojnë festat e fundivitit. Dikush nga jashtë nuk vjen në një vend të huaj të shikojë një rrethrrotullim të madh me 170 mijë makina, por vjen ku ka një hapësirë ku 10 mijë vetë janë duke festuar festat e fundvitit dhe ka aktivitete për fëmijët e për të rritur. Nëse nuk do e kishim as Muzeun e Gjetheve, as Muzeun Kadare, as Muzeun Dritëro Agolli, për çfarë do vinin në Tiranë? Brezi i ri nuk e mban mend fare se mendojnë që Tirana ka qenë gjithmonë kështu, por ne të tjerët po. Kur ti ke një koncert të Dua Lipës, të Rita Orës, të Ricky Martin, të Iglesias, të DJ të ndryshëm, vijnë dhe turistë nga vende të tjera. Sot Tirana ka pritur mbi 11 milionë turistë deri në nëntor. Deri në fund të dhjetorit o do i afrohemi o do i kalojmë 12 milionë, pra praktikisht mesatarisht 1 milionë turistë në muaj”, nënvizoi ai.

/rtsh.al/