RTSH 24 Live

Politikë

Buxheti 2023/ Meta nga Korça: Rama e ka mendjen te PPP e oligarkët, jo te shqiptarët

24/11/2022

Buxheti 2023/ Meta nga Korça: Rama e ka mendjen te PPP e oligarkët, jo te shqiptarët

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar Buxhetin dhe paketën fiskale 2023 të qeverisë se nga kjo po dëmtohen qytetarët. Nga Korça, gjatë një takimi me strukturat e Partisë së Lirisë, Meta foli për taksimin e profesioneve të lira, që sipas tij po u merret fryma me taksat e shtuara në këtë kohë krize.

“Në kulmin e krizës shton edhe taksat për profesionet e lira. Është ky moment për të taksuar profesionistët kur nuk kemi mundësi ti mbështesim. 17 mln euro përfiton buxheti. Ajo që dinë këta është që vetëm të marrin borxhe për të vjedhur për veten e tyre. Ndaj dhe ne kemi propozuar shumë amendamente sot në Kuvend dhe pse jam i sigurt që nuk do miratohen, që nga mbështetja për studentët, mbështetja për pedagogët, gjithashtu edhe shumë amendamente të tjera, si shtyrja e taksimit për profesionet e lira të paktën deri sa të kalojë kjo krizë.

Edhe për pagën e mësuesve, Meta tha se kjo është tepër e ulët, por që sipas tij qeveria e ka mendjet te PPP-të dhe jo te arsimi.

“Buxheti që votohet sot, është buxheti kundër arsimit, pro oligarkëve. Nuk është një buxhet pro mësuesit, pedagogut, nxënësit apo studentit. Kjo qeveri e ka bërë të qartë që arsimi nuk është prioritet i saj. Çfarë kërkojnë pedagogët tanë? Që paga e tyre të jetë sa paga e pedagogëve në Kosovë? Këtu e gjithë vëmendja nuk është për të mbështetur arsimin, shëndetësinë, as për të mbështetur familjet e reja. Këtu për fa të keq e gjithë vëmendja është tek PPP për të vjedhur. Mësuesit janë ata që kanë shpëtuar kombin, janë më të dashurit për çdo familje pasi mëson fëmijët tanë. 420 euro është paga mesatare në republikën e Shqipërisë në BE. 990 euro në Mal të zi. Në dhjetë vite prioriteti nuk ishte mbështetja e arsimit, siç u premtua, por përkundrazi as për të rinjtë dhe të rejat, por ishte për PPP”, tha Meta.

Lidhur me Portin e Durrësit, Meta tha se procesi nuk ka qenë transparent dhe është zhvilluar pa garë.

“Të parët jemi për korrupsion jo në rajon e kontinent, por në nivele botërore, këtë e thotë rezoluta e parlamentit evropian, jemi vendi i dytë në botë për ryshfet, pas Zambias.  Kjo është filozofia e Rilindjes, e mjeljes së pasurive të Shqipërisë, ndaj Partia e Lirisë beson se zgjidhja do vijë vetëm nga populli, por zgjidhja nuk është thjesht një rotacion, rotacioni ka kaluar. Këtu bëhet fjala për të ndryshuar një sistem që ka dalë nga shinat dhe këtë e garanton referendumi dhe një nga bazat tona do jetë granatimi i të drejtës së referendumit në mënyrë që populli i Shqipërisë. Si mund të bëhet një port pa asnjë garë, transparencë. E dëgjuat çfarë tha, ja se sa të lumtur janë kroatët dhe nxjerr një shkrim të vitit 2019, pas 3 orësh i doli gënjeshtra se si Kroacia i kishte hedhur poshtë projektin. A më falni tha se u nxitova, jo nuk u nxitove ti hileqar, po e hëngrën këta shumë mirë, po më kapën do them më fal”, tha ai.

/rtsh.al/