RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Burg për Albert Zajën, i dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

24/03/2021

Burg për Albert Zajën, i dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

Albert Zaja 37 vjeçari nga Fushë Kruja, i dyshuar si autor i vrasjes së Shkëlzen Kastratit, do vijojë të qëndrojë në burg deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Gjate seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, në Gjykatën e Shkallë së Parë Fier, gjyqtarja Adelina Zarka ka pranuar kërkesën e prokurores Elida Hoxha, duke lënë në burg Zajën. 37 vjeçari u arrestua pasditen e së dielës nga forcat speciale Renea në fshatin Larushk të Krujës. Para trupit gjykues Albert Zaja nuk ka pranuar autoresine e krimit, ndërsa ka dhene si alibi për orën e krimit, ka dhënë disa vendndodhje, nje prej te cilave ne Vlore. Zaja gjithashtu ka kundërshtuar mbajtjen e tij në burgun e sigurisë së lartë në Fier, pasi sipas tij ndihet i kërcënuar, kërkesë e cila nuk u pranua nga gjyqtarja.
 Më herët, për të njëjtën ngjarje, të akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim” Gjykata e Fierit ka dhënë masën “Arrest në burg”, në mungesë edhe për tre shtetas të tjerë;  Elson Xhecukën 27 vjeç banues në Kamzë, Roland Cara, banues në Tiranë dhe Elmir Tufa 29 vjeç nga Fushë Kruja. Këta tre të fundit janë në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërsa dyshohet të jenë vrasës me pagesë.
Kastrati u ekzekutua në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, më 1 shkurt, dhe mendohet të jetë vazhdimi i ngajrjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.  Hetimet janë përqendruar te pista e hakmarrjes dhe konfliktet e familjes Kastrati.