Në një intervistë për Revistën Televizive të Radio-Televizionit Shqiptar, kreu i Këshillit Drejtues të këtij televizioni, Leka Bungo është shprehur i keqardhur për situatën ku e gjeti RTSH, si dhe për mënyrën se si është drejtuar dhe manaxhuar ky rrjet mediatik gjatë këtyre pesë viteve të fundit. "Realisht RTSH është gjigand mediatik, por unë personalisht mendoj se është gjigand i ngecur në rërë dhe ka nevojë të shtyhet e të lëvizë. Ka pese vite që po rropatet për të ecur dhe ka ngecur në rërë. S'mund të rri pa theksuar se një radiotelevizion si ky yni me këtë potencial njerëzor, buxhet e teknologji të mos arrijë për pesë vite me radhë ti transmetojë telespektatorit programe artistike... Pavaresisht se RTSH ka një diagramë shumë të gjerë sesa ekranet e tjera lokale apo ...në fokusin e vet janë disa kolona kryesore, përpos lajmeve e programeve me karakter edukues, janë dhe programe argëtuese artistike që i kane munguar TVSH. Për mua ky është një nga difektet kryesore" tha zoti Bungo.
Ai vijoi më tej duke shprehur rezervat e tij për mënyrën se si eshte drejtuar dhe manaxhuar RTSH gjatë këtyre pesë viteve të fundit. "Sipas mendimit tim, nën petkun e një revolucioni teknologjik, se po rinovohej, po shtohej dhe po rrisnin performancën, kanë shtuar në mënyrë artificial kanalet e RTSH, që janë 16 kanale, 1150 punonjës ndërkohë që duhet t'ju kujtoj se vendet tjera kanë shumë më pak. Kostoja është e dyanshme. Jo vetem ekonomike, por profesionale. Nëse do krahasonim raportet e kanaleve me mundësitë që ka produksioni i RTSH është në kufijt e komikes!" tha zoti Bungo.
Kryetari i Këshillit Drejtues së RTSH gjithashtu foli edhe për gjetjet e raportit më të fundit të Kontrollit të Lartë të shtetit në lidhje me radiotelevizionin. "Kur lexon trembesh nga propozimet që ka bërë KLSH. Pothuajse shumica e drejtuesve janë të paralajmeruar me shkrim për pushim nga puna. Rreth 80 përqind e drejtuesve" tha kreu i KD të RTSH.
Për zotin Bungo reformimi i RTSH është mëse i domosdoshëm për t’ia kthyer këtë rrjet sërish publikut, ndërsa pohon se kanë filluar të merren vendime të matura në këtë drejtim. "Do kemi reformë që mendoj se duhet të jetë e thellë. Do bëhet një kthesë e madhe. KD i RTSH në këtë periudhe që ka emëruar z. Martin Leka, në bashkëpunim të ngushtë me të është përpjekur të sjellë në balancë disa mangësi që kanë qenë shumë të dukshme. Me propozim të zotit Leka, kemi miratuar emrat e bordit te ri artistik dhe mendoj se janë personalite dhe ky bord do të jetë dogana ku nuk do të kalojnë gjërat ordinere" tha kreu i KD të RTSH Leka Bungo në edicionin e lajmeve të RTSH mbrëmjen e së premtes.
Televizion
Bungo: RTSH gjigand i ngecur në rërë!
28/08/2021