RTSH 24 Live

Sociale

Bulqiza, nga galeritë tek atraksionet turistike

26/09/2021

Bulqiza, nga galeritë tek atraksionet turistike

Të tregosh historinë e një vendi detyrimisht duhet që të flasësh me banorët e tij. Janë ata shpirti dhe fryma që mbajnë gjallë shtëpitë, rrugët dhe të gjithë këtë mjedis të vjetër e të lashtë. Banorët e Bulqizës në veri të Shqipërisë, mikëpritjen e kanë një prej virtyteve kryesore. Bulqiza në Vjeshtë është e gjallëruar dhe e ngrohtë mbi malet ku ajo ngrihet dhe përgjatë kësaj lugine të magjishme. 

Ky qytet lindi si një qendër punëtorësh në mes të dy fshatrave: Durriç dhe Vajkal në vitin 1950 dhe ndërtimet e para ishin disa Baraka dërrase. Gjatë viteve 1950-1960 u ngritën disa ndërtesa një katëshe, një shkollë fillore, një shkollë 7-vjeçare, një kopsht dhe një çerdhe për fëmijë. Fillimisht në këtë zonë filloi ndërtimi i disa barakave prej dërrase që shërbenin për strehimin e punëtorëve që do të punonin në minierë. Bashkë me ndërtimin e barakave gjithashtu u ndërtuan edhe disa objekte që do ti shërbenin procesit të prodhimit të kromit pranë mineralit.

Sot Bulqiza e re dhe e Vjetër ofron një tjetër pamje, me ndërtesa të larta e modern dhe me njerëz të cilët edhe pse e kanë të lidhur jetën ngushtësisht me minierën tregojnë se bulqiza fsheh pasuri maramendëse përveç mineraleve. 
Nuk mund ta mendosh këtë qytet të ndarë nga miniera. Pjesa dërrmuese e banorëve të saj punojnë me turne në minierë. Hyjnë e dalin prej galerive me rrezikun që mbart nëntoka dhe sigurojnë jetesën.
Miniera numëron mbi 600 jetë të humbura që prej krijimit të saj dhe banorët e Bulqizës sa herë kanë përjetuar këto ngjarje të trishta. Mbrëmja në Bulqizë bie e qetë me zhurmat e ujrave të pastër që rrjedhin prej maleve ndërsa banorët e saj sot po bëjnë homazh për të gjithë ata burra e djem që dhanë jetën në punë dhe ikën nga kjo botë aksidentalisht.

Në bashkinë e Bulqizës prej kohësh zyrtarët e lartë të saj po kërkojnë rrugë të zhvillimit të turizmit malor, agroturizmit dhe zhvillimit të një ekoturizmi të qëndrueshëm pasi kjo zonë ka me dhjetra e qindra monumente historike dhe natyrore që për nga vjetërsia dhe rëndësia janë unike. 

Edhe pse miniera është parë si e vetmja mundësi për ekonominë vendase, zyrtarët e kësaj bashkie mendojnë se turizmi është një tjetër sektor që do të sjell të ardhura të mëdha nëse do të menaxhohet si duhet.

Sot në Bulqizë gjen liqene natyralë dhe një mjedis me bimë e gjallesa endemike që mbase nuk janë në asnjë vend tjetër të botës, gjen një peisazh natyror dhe një klimë kurative por në bulqizë ka edhe histori, traditë dhe vlera autoktone shqiptare të patjetërsueshme. 
Kulla Hupi në fshatin Leprak 15 minuta larga nga qerndra e qytetit të Bulqizës. Është një kullë mbi 200 vjeçare e cila ka përjetuar shekuj të vështirë, luftrash, zie e ndërsa vjen deri në ditët tona si një monument i gjallë, si një dëshmi e fisnikërisë dhe traditës shqiptare. Thënë më qartë, një godinë karakteristike e inxhinierisë autoktone shqiptare. Lulzimi i cili bashkë me familjen e tij e kanë ruajtur këtë ndërtesë sot e kanë kthyer atë në një shtëpi pritjeje për turistët. Kjo shtëpi është një prej vendeve më të bukura dhe më të rehatshme në qarkun e Dibrës. Ushqimet e zonës me shije të rrallë, interieri i brendshëm i kësaj shtëpie të madhe dhe mikpritja bulqizake janë arsyet që duhet vizituar patjetër ky vend. 

Zhvillimi i Agroturizmit në këtë zonë është prioritet primar edhe i qeverisë shqiptare dhe partnerëve të saj të huaj që bashkëpunojnë për rimëkëmbjen e ekonomisë lokale por edhe paraqitjen e modeleve të suksesshme. Gjatë vizitës sonë në Kullën e Hupit ne takuam rastësisht një grup të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Përfaqësues të GIZ thonë se disa projekte të rëndësishme në qarkun e Dibrës po inplementohen edhe në bashkinë e Bulqizës. 

Turizmi në bashkinë e Bulqizës kohët e fundit po merr një zhvillim të madh dhe interesimi i turistëve po shtohet dita ditës. Vendodhjet natyrore të rralla të kësaj zone me ujvara, lugina, liqene akullnajorë, pyje të dendur dhe një mjedis të pastër të rrallë e bëjnë Bulqizën si një nga vendet më të lakmuara për tu vizituar në çdo stinë. Banorët e zonës po pregatiten për sezonin e dimrit ku turizmi dimëror ofron shumë për turistët. Sofrat e ngrohta të Bulqizës dhe mikpritja e përzemërt e banorëve të saj janë dera e madhe e Dibrës që për miqtë është gjithnë e hapur.