RTSH 24 Live

Politikë

Bullgaria s'lëshon, Shqipëria e Maqedonia bllokohen: S'ka datë për konferencë ndërqeveritare me BE-në

22/06/2021

Bullgaria s'lëshon, Shqipëria e Maqedonia bllokohen: S'ka datë për konferencë ndërqeveritare me BE-në

Bullgaria nuk ka "lëshuar pe" as në Këshillin për Punë të Përgjithshme, në këmbënguljen për të bllokuar fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Agjencia e lajmeve MIA, duke u mbështetur në burime diplomatike anonime njofton se debati për zgjerimin në takimin e ministrave në Luksemburg ka qenë intensiv në këtë temë. Sofjes i është thënë se kritikat në adresë të saj për këtë bllokim janë të shumta.

Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas MIA-s, ka thënë se “BE nuk e kupton thellësinë e problemit midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”. Sidoqoftë diplomatët evropianë ankohen se Bullgaria nuk mund të japë ndonjë garanci se do të zhbllokojë veton me një qeveri politike.

Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, janë deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Gjermania mendon se BE-ja duhet patjetër të bëjë diçka në këtë drejtim.

Vendimet e nevojshme janë nën hijen e konflikteve bilaterale. Ata nuk duhet të merren parasysh në nivel të BE-së. Mundet të bisedohen në kuadër të BE-së dhe ne jemi këtu, por këto janë probleme bilaterale. Komiteti i Qeverisë federale mendon se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar kushtet dhe më në fund mund të fillojnë me negociatat dhe duhet të jetë e qartë se BE-ja si tërësi, e mbështetur nga 27 vende anëtare, tani dërgon sinjal për zbatimin e premtimeve të cilat shtetet i kanë dhënë – deklaroi Mihail Rot, Ministër për Evropë i Gjermanisë.
Në të njëjtën vijë, para takimit, u deklarua edhe zv/ministri i Qeverisë së Lituanisë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që më në fund të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është çështje e kredibilitetit të BE-së. Zgjerimi ka qenë politika më e suksesshme që BE-ja ka vënë në përdorim prandaj nuk duhet ta komprometojmë atë – u shpreh Arnoldas Prankevicius, zv/ministër për Çështje Evropiane i Lituanisë.


Në takimit e Këshillit për punë të përgjithshme diskutohet edhe sundimi i së drejtës në vendet anëtare. Më vonë gjatë ditës përgatiten edhe dy konferenca ndërqeveritare, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, sipas metodologjisë së re të anëtarësimit. Ministrat përgatisin Samitin e shefave të vendeve anëtare që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor.