RTSH 24 Live

Europë

Bullgaria nis ndërtimin e gazsjellësit me Serbinë

01/02/2023

Bullgaria nis ndërtimin e gazsjellësit me Serbinë

Bullgaria ka nisur ndërtimin e gazsjellësit që do ta lidhë me Serbinë, në përpjekje për hequr varësinë nga gazi rus.

Linja e re e gazit, ndërtimi i së cilës financohet pjesërisht me para të BE-së, pritet të përfundojë në muajin tetor.

Gazsjellësi pritet të ketë kapacitet prej 1.8 miliard metër kub gaz në vit në secilin drejtim.

Siç raporton Radio Europa e Lirë, në ceremoninë e nisjes së ndërtimit ku ishin të pranishëm presidenti bullgar, ai serb dhe Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, u deklarua në sigurimin e energjisë në të ardhmen për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore.

Ky sistem i gazsjellësit do të transportojë gaz nga Azerbajxhani deri në perëndim të Evropës, por po ashtu do t’i japë mundësi Serbisë në gaz të lëngshëm natyror, përmes porteve në Greqi.

Bullgaria ishte pothuajse krejtësisht e varur nga gazi rus, duke transportuar rreth 3 miliardë metër kub në vit, deri kur Moska ndërpreu krejtësisht furnizimet në prill të vitit 2022, pasi Sofja refuzoi që të paguante me rubla ruse për gazin e Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë Beogradi vitin e kaluar nënshkroi një kontratë të re trevjeçare me Gazpromin rus, duke nxitur kritika nga Brukseli, në kohën kur BE-ja po tenton të ulë varësinë nga energjia ruse.