RTSH 24 Live

Ekonomi

BSH: Kreditimi real i ekonomisë u përmirësua më tej në tremujorin e tretë 2020

13/01/2021

BSH: Kreditimi real i ekonomisë u përmirësua më tej në tremujorin e tretë 2020

Kreditimi i ekonomisë shqiptare në terma realë u përmirësua më tej në tremujorin e tretë të vitit 2020. Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ecuria e kundërt e kredisë me Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020 ka bërë që hendeku negativ i kreditimit të ekonomisë në vijojë ngushtimin. Raporti në fjalë tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit, duke shtruar eventualisht rreziqet sistemike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2020 hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -6.3 pikë përqindje, nga -7.1 pikë përqindje që kishte qenë një tremujor më parë. Ndonëse ngelet negativ, ky hendek u ngushtua për të shtatin tremujor radhazi. Ulja e vlerës negative të këtij indikatori është rezultat i rënies ekonomike në tremujorët e fundit, por paralelisht edhe qëndrueshmërinë së rritjes vjetore të kredisë për ekonominë, sidomos pas tremujorit të dytë të vitit 2020.

Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit të bankave tregtare. Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje. Për këtë arsye, edhe në vendimin e fundit të Guvernatorit, të datës 29 dhjetor, shtesa kundërciklike e kapitalit është lënë në nivelin 0.

Shifrat krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria është aktualisht ekonomia më pak e kredituar e rajonit. Në fund të vitit 2019, portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 32.53% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për periudhën 2014-2018, kredia ra me rreth tetë pikë përqindje ndaj PBB-së. Kjo ndodhi për shkak të stanjacionit të kreditimit, por edhe procesit të fshirjes së kredive të humbura, që pati një efekt gërryes në vlerën totale të portofolit të kredisë për ekonominë. Vetëm në vitin 2019, kreditimi i ekonomisë shqiptare, në terma realë, shënoi një rritje me rreth 1.2 pikë përqindje.

Por, stanjacioni disavjeçar i huadhënies, në një kohë që ekonomia rritej me ritme pozitive e ka thelluar hendekun e kreditimit mes Shqipërisë dhe ekonomive fqinje. Vendi më i afërt me Shqipërinë është Kosova, ku kredia ka një vlerë sa rreth 41% e PBB-së, ndërsa vendet e tjera e kanë madhësinë e portofolit të kredisë në intervalin mes 44% dhe 56% e PBB-së. Shumica e vendeve të tjera të rajonit nuk vuajtën një rënie të fortë të kredisë ndaj PBB-së, siç ndodhi në rastin e Shqipërisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e afërsisht 600 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5%. Nëse ekonomia do të bjerë me rreth 6%, aq sa parashikon qeveria shqiptare, raporti i kredisë ndaj PBB-së në fund të vitit 2020, mund të arrijë në kufijtë e 38%, në rritje me rreth pesë pikë e gjysmë krahasuar me vitin 2019.