RTSH 24 Live

Rajoni

Bruksel/ Mitsotakis: Greqia mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, në 2033 të finalizohet procesi

23/06/2022

Bruksel/ Mitsotakis: Greqia mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, në 2033 të finalizohet procesi

Integrimi i Ballkanit Perëndimor të BE, duket se është kthyer në një çështje jo vetëm në nivel rajonal, por edhe evropian. Greqia, si një vend ballkanik, është rreshtuar tashmë hapur në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor, gjë e cila u theksua sot para takimit të nivelit të lartë të BE-së në Bruksel.

Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në një prononcim për mediat greke gjatë samitit BE- Ballkan Perëndimor, u shpreh se plot 19 vjet më parë, në Samitin e Selanikut, Greqia hapi rrugën për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.

“Fatkeqësisht, progresi që është bërë nga samiti, praktikisht, është minimal. Jam tërësisht i qartë se përse në vendet e Ballkanit Perëndimor mbizotëron një mosbesim relativ, rreth qëllimit të Bashkimit Evropian, për të përfshirë realisht vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, komentoi Mitsotakis.

Sipas tij, tashmë është një shans për të rifilluar këtë proces me intensitet edhe më të madh.

“Kusht i domosdoshëm është zgjidhja përfundimtare e mosmarrëveshjes mes Sofjes dhe Shkupit, në mënyrë që të fillojnë zyrtarisht negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për procesin e anëtarësimit”, komentoi kryeministri grek.

Sipas tij, Greqia qëndron në anën e Ballkanit Perëndimor, si ekonomia më e madhe në rajon, si një vend që ka korrur përfitimet e anëtarësimit në familjen evropiane.

“Greqia do të mbështesë Ballkanin Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Mendimi im është se në këto momente është shumë e rëndësishme të merret një vendim historik, në mënyrë që ky proces të përfundojë”, theksoi ai.

Zoti Mitsotakis nënvizoi gjithashtu se propozimi i tij për Komisionin Evropian është që ky moment historik të jetë në vitin 2033, tridhjetë vite pas Samitit të Selanikut, në mënyrë që Ballkani Perëndimor dhe shtetasit e këtyre vendeve të jenë në dijeni se në fund të këtij procesi të gjatë ata mund të arrijnë me të vërtetë të anëtarësohen në familjen evropiane.

Greqia, sipas tij, do të qëndrojë pranë këtyre shteteve, në përpjekjen e tyre të vështirë, në rrugëtimin e gjatë që ata kanë nisur për në BE.

/rtsh.al/