RTSH 24 Live

Kosova

Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për targat

23/11/2022

Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për targat

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. 

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Ai ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.

“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, u shpreh Borrell.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas shumë orë bisedimesh, Kosova ka arritur objektivin e saj.

“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: Kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë”, shkroi Bajrami në Twitter.

 

/ rtsh.al /