RTSH 24 Live

Europë

Britania rrit nivelin e kërcënimit ndaj ligjvënësve pas vrasjes së deputetit Amess

21/10/2021

Britania rrit nivelin e kërcënimit ndaj ligjvënësve pas vrasjes së deputetit Amess

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel u tha deputetëve në parlament të mërkurën se pas një rishikimi të pavarur, niveli i kërcënimit me të cilin ata përballen është rritur në "të konsiderueshëm", që do të thotë se sulmet kundër tyre janë "të mundshme".

Rishikmi është porositur nga Patel pas vrasjes së deputetit Sir David Amess, i cili u godit me thikë javën e kaluar.

Rishikimi i pavarur është kryer nga Qendra e Përbashkët e Analizës së Terrorizmit (JTAC), e cila ka pesë nivele kërcënimi: të ulët, të mesëm, të konsiderueshëm, të rëndë dhe kritik.

"Megjithëse nuk shohim asnjë informacion ose të dhëna të inteligjencës që tregojnë për ndonjë kërcënim të besueshëm, specifik ose të afërt, unë duhet të informoj Dhomën se niveli i kërcënimit me të cilin përballen anëtarët e kësaj Dhome tani llogaritet të jetë i konsiderueshëm", u tha ajo deputetëve.

"Ky është nivel i njëjtë me kërcënimin kombëtar aktual për Britaninë e Madhe në tërësi", tha Patel.

Në shkurt, niveli i kërcënimit kombëtar britanik nga terrori u ul nga "i rëndë" në "thelbësor".

"Unë mund ta siguroj Dhomën se agjencitë tona të sigurisë dhe inteligjencës së klasit botëror dhe policia kundër terrorizmit tani do të sigurojnë që ky ndryshim të reflektohet në mënyrën e duhur në qëndrimin e tyre operacional", tha Patel.

"Gjithmonë do të siguroj që kontaktet ballë për ballë, debatet e forta dhe përfitimet më të gjera të demokracisë sonë të sigurohen dhe mbrohen. Por, ne të gjithë duhet ta marrim seriozisht këtë ndryshim në rrezik", tha ajo.

Patel më pas u bëri thirrje deputetëve që të përdorin dispozitat e sigurisë dhe mbështetjen e disponueshme për ta.

“Si edhe për vetën tonë, kemi për detyrë të kujdesemi për të mbrojtur stafin tonë dhe publikun e gjerë”, tha sekretarja britanike./AA