RTSH 24 Live

Kosova

Bregu: Dixhitalizimi kërkon një qasje ndër breza

21/09/2022

Bregu: Dixhitalizimi kërkon një qasje ndër breza
Majlinda Bregu, foto arkivi

“Sot është një ditë e shënuar për Prishtinën, që është kthyer sot në qendrën e gravitetit, të një prej nismave më të mëdha të Procesit të Berlinit – Samiti Dixhital i Ballkanit Perëndimor”. Deklarata vjen nga Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapja e Samitit të 5-të Dixhital të Ballkanit Perëndimor (WBDS) të mërkurën në Prishtinë.

“Prishtina sot është më dinamike nga bizneset e reja, kompanitë e IT-së, ekspertët që po shfrytëzojnë potencialet digjitale, për zhvillimin e rajonit tonë. Është e njëjta frymë dhe energji që kemi ndjerë nga afër, vetëm dy javë më parë, kur organizuam - Balkathon 3.0. Përpjekjet dhe vullneti i të rinjve, janë një forcë e madhe dhe frymëzuese, që na detyron ne, politikëbërësit, të punojmë shumë më shumë, duke ndjekur inteligjencën dhe ritmin dinamik të tyre.” tha zonja Bregu.

Sipas saj “Dixhitalizimi në rajon ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, duhet të theksojmë se ka shenjuar përparime të mëdha me përhapje të gjerë dhe përvetësim masiv të shërbimeve elektronike; Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit po bëhet një shërbim kryesor eksportues dhe një aset ekonomik për shumicën e ekonomive tona,” tha Bregu duke marrë më tej si shembull Kosovën, që është shtëpia e një numri të madh talentesh të klasit botëror.

 “Shkalla më e lartë e përdoruesve të internetit në rajon është 93 %; me një numër të madh të kompanive IT. Vetëm vitin e kaluar nga Kosova janë eksportuar 130 milionë shërbime të Teknologjisë Dixhitale. Pas më shumë se një viti, kur është vënë në zbatim “Fol si n’shpi”, Marrëveshja Rajonale e Roaming, ne krenohemi me suksesin dhe gjithë ç’kanë fituar qytetarët: janë 143 milionë minuta telefonata, dalëse, nga përdoruesit tanë roaming në vitin 2021, shifër kjo që përfaqëson 50% rritje vjetore krahasuar me 2019 dhe 2020-ën” tha zonja Bregu.

 Nga ana tjetër ajo kujtoi se rajoni i Ballkanit kohët e fundit po përballet me sulme kibernetike tejet serioze. Njohuria digjitale është ende e ulët (24% në 47% krahasuar me 54% që është në BE), siç është edhe niveli i ndërveprimit ndërkufitar. Sipas zonjës Bregu kjo është arsyeja që marrin më shumë hov e zënë më shumë rrënjë lajmet e rreme dhe disinformimi.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)  tha se për këto arsye rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim. “Dixhitalizimi është një nga sfidat më të mëdha të këtij shekulli dhe si i tillë kërkon një qasje rajonale dhe evropiane. Ajo kërkon gjithashtu një qasje ndër breza - duke mbajtur në zemër si prioritetet mirëqenien e të rinjve tanë. Agjenda e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilën janë përkushtuar liderët tanë, ka një sërë masash që mbështesin transformimin dixhital të rajonit tonë. Zbatimi i plotë i tyre drejt një tregu digjital pa probleme në Ballkanin Perëndimor mund të jetë një ndryshim i vërtetë dhe i theksuar në trajektoren e rritjes së rajonit tonë”, shtoi Bregu.

“Ky Samit vjen në një moment të veçantë për rajonin tonë. Ndërkohë që krizat gjeopolitike, e inflacionit, energjitike, ushqimore, klimaterike, dhe të tjera janë të pranishme, ne po përpiqemi, gjithashtu, të gjejmë disa gjëra pozitive” tha zonja Bregu.  Sipas saj vendet e rajonit “... do të duhet të vazhdojnë të insistojnë që hapat e guximshëm, vendimtarë dhe të përcaktuar, për anëtarësimin e rajonit në BE, të ndërmerren pa vonesa të mëtejshme, duke përfshirë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe statusin e vendit kandidat për Bosnjë & Hercegovinën.

 RCC  mbështeti këtë eveniment më të madhin rajonal për digjitalizim, për të pestin vit radhazi. Samiti Dixhital i Ballkanit Perëndimor zhvillohet çdo vit në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Agjendës së Përbashkët të Tregut Rajonal për Ballkanin Perëndimor. Pas Samitit të mbajtur në Shkup në vitin 2018, në Beograd, Tiranë dhe Podgoricë, përkatësisht në vitin 2019, 2020 dhe 2021, këtë vit Samiti i 5-të Dixhital i Ballkanit Perëndimor organizohet  me mikpritjen e Qeverisë së Kosovës.