RTSH 24 Live

Art

Botohet në Kinë libri “Shqipëria në Art", një enciklopedi e kujtesës figurative nga studiuesi Ferid Hudhri

29/05/2021

Botohet në Kinë libri “Shqipëria në Art", një enciklopedi e kujtesës figurative nga studiuesi Ferid Hudhri

Libri “Shqipëria në Art”, e historianit dhe studiuesit Ferid Hudhri,  është botuar në Kinë me titullin “Shqipëria nëpërmjet artistëve”. Ky është i pari libër arti shqiptar që botohet në këtë vend. 
"Shqipëria në art" paraqitet si një enciklopedi e kujtesës figurative për historinë, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare. Përmes statujave, mozaikëve, afreskeve, pikturave, akuareleve, të krijuara nga kohët më të hershme deri në ditët tona, studiuesi Hudhri na njeh me aspekte të ndryshme të jetës në trojet e banuara prej shqiptarëve.
Veprat e artit në këtë libër shoqërohen edhe me të dhëna për autorë të rëndësishëm, si dhe me shënime rreth realizimit të disa prej tablove më të bukura. 
Ky botim është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë jepet një vështrim i shkurtër i historisë së artit shqiptar, nga gjurmët më të hershme deri te krijimtaria e ditëve tona. 
Pjesa e dytë titullohet "Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj", në të cilën janë përmbledhur mbi 180 piktura me temë shqiptare prej autorëve nga disa vende të botës. Shumë këto vepra botohen për herë të parë dhe janë rezultat i kërkimeve shumëvjeçare të autorit nëpër galeri, muze, arkiva dhe koleksione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. 
Ndërsa në pjesën e tretë, me titull "Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë", janë zgjedhur mbi 100 krijime, nga artistët e periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë, si: Kolë Idromeno, Marubi,  Simon Rrota, etj. 
Kjo vepër është përkthyer në gjuhën kineze nga Wang Xianya dhe tashmë është shpërndarë nëpër libraritë e Pekinit dhe qyteteve të tjera të Kinës.