RTSH 24 Live

Aktualitet

Bota reagon pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit në Afrikën e Jugut

26/11/2021

Bota reagon pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit në Afrikën e Jugut

Një numër vendesh po ndalojnë udhëtimin ajror nga Afrika e Jugut dhe vlera e aksioneve ra ndjeshëm në bursat e Azisë dhe Evropës, pas lajmeve se një variant i ri i COVID-19 që mund t'i shmanget efektivitetit të vaskinave, është zbuluar në Afrikën e Jugut.

Autoritetet britanike mendojnë se është varianti më domethënës deri më sot dhe nxituan të premten të vendosin kufizime udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut, ashtu si edhe Japonia, Republika Çeke dhe Italia.

Edhe Bashkimi Evropian tha se synonte të ndalonte udhëtimin ajror nga Afrika e Jugut.

Shkencëtarët thonë se varianti i ri është shqetësues për shkak të përhapjes së shpejtë mes të rinjve, njoftoi të enjten Ministri afrikano-jugor i Shëndetësisë Joe Phaahla.

Varianti u zbulua në Gauteng, provinca më e populluar e vendit.

Në Afrikën e Jugut ka pasur një rritje dramatike të rasteve të reja, tha zoti Phaahla në një konferencë virtuale për shtyp.

Ministri i shëndetësisë shpjegoi se ndërsa fillimisht autoritetetet besonin se numri në rritje i rasteve mund të ishte për shkak të grumbullimeve në universitete, shkencëtarët më pas i kishin njoftuar se dukej se bëhej fjalë për një variant të ri.

Varianti që po identifikohet për momentin si B.1.1.529, është identifikuar gjithashtu në Botsvana dhe Hong Kong tek udhëtarë nga Afrika e Jugut, tha ai.

"Me siguri që pasi njerëzit fillojnë të lëvizin edhe më shumë gjatë javëve të ardhshme, ai (variant) do të jetë kudo," paralajmëroi zoti Phaahla.

Varianti i ri ka një numër të madhe “mutacionesh të reja," tha Tulio de Oliveira, i Rrjetit për Mbikëqyrjen e Gjenomës në Afrikën e Jugut, i cili ka studiuar përhapjen e deltës në vend.

"Numri shumë i lartë i mutacioneve përbën shqetësim sepse i shmanget imunitetit dhe sjell përhapje të shpejtë”, tha zoti de Oliveira, drejtor i Qendrës së Afrikës së Jugut për Reagimin dhe Inovacionin ndaj Epidemisë.

Pas një periudhe transmetimi relativisht të ulët kur Afrika e Jugut po regjistronte pak më shumë se 200 raste të reja të konfirmuara në ditë, javën e kaluar rastet e reja ditore u rritën me shpejtësi në më shumë se 1200 të mërkurën.

Grupi teknik i punës i OBSH-së do të takohet të premten për të vlerësuar variantin e ri dhe mund të vendosë nëse do t'i japë ose jo një emër nga alfabeti grek. Marrë nga Associated Press