RTSH 24 Live

Rajon

Bosnjë, ngrihen tenda ushtarake për të strehuar refugjatët

02/01/2021

Bosnjë, ngrihen tenda ushtarake për të strehuar refugjatët

Autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë urdhëruan në fundjavë ngritjen e dhjetëra tendave ushtarake për të strehuar refugjatët nga Lindja e Mesme të cilët po luftojnë për mbijetesë në këto ditë dimri.
Strukturat u ngritën të premten, 1 janar, nga forcat e armatosura boshnjake në kampin e shkrumbuar të “Lipës”, pasi banorët lokalë refuzojnë transferimin e tyre afër zonave të banuara.
Të ardhurit nga përtej Europës, nga Lindja e Mesme, Afrika apo Azia, prej ditësh po strehohen në ambientet e kampit të cilit ata i vunë vetë zjarrin më 23 dhjetor, për të denoncuar kushtet e jetesës.
Edhe të enjten ata protestuan për ngrohje dhe strehë më të izoluara në kushtet e motit të ftohtë.
Synimi i emigrantëve është të kalojnë kufirin drejt Kroacisë, si porta më e afërt e BE-së, por edhe pala kroate raportohet se i ka zmbrapsur herë pas here madje dhunshëm përpjekjet e tyre.
Kryediplomati i Bashkimit Europian, Xhozep Borel, e konsideron situatën në kampet boshnjake, të papranueshme dhe se vendi kandidat për anëtarë në BE po rrezikon me reputacionin e vet.
Që prej vitit 2018, Bosnja ka marrë mbi 85 milionë euro ndihmë për fluksin e emigrantëve, dhe Borel kujtoi të premten se gjetja e ambienteve për strehimin e tyre do vetëm përgjegjësi politike.