RTSH 24 Live

Botë

Borrell: Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta

05/12/2020

Borrell: Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e  Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell deklaroi se Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta.

Borrell pasi mori pjesë nëpërmjet video-konferencës në Forumin e Dialogut të Mesdheut (MED) i cili këtë vit zhvillohet për të gjashtën herë nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe Instituti Ndërkombëtar për Çështjet Politike (ISPI) foli edhe për marrëdhëniet me Turqinë.

Në pyetjen se cilat janë pikëpamjet e tij për këtë çështje, Borrell tha se “kjo është një prej çështjeve më të vështira të cilën ne duhet ta zgjidhim. Në takimin e fundit të Këshillit të Europës u vendos për hyrje në një agjendë pozitive me palën turke në muajt e ardhshëm dhe të vlerësoheshin zhvillimet nëse do të vërehej apo jo një qasje më pozitive”.

“Por, në këto muaj nuk mund të thuhet se kemi vërejtur shumë sinjale pozitive nga Turqia. Nuk ka përparim kryesisht në çështjen e Qipros, për çështjen e shpimeve dhe në bisedimet eksploruese turko-greke. Në samit duhet të arrijmë në një vendim në kuadër të këtyre zhvillimeve”, tha Borrel.

“Unë mendoj se Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta, veçanërisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Turqia qëndron dhe do të qëndrojë aty. Ka synime rajonale. Duhet të kuptojmë se Turqia strehon 3,5 milionë sirianë. Duhet të interesohemi dhe t’i ndihmojmë ata. Duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Këto ndihma nuk janë për qeverinë turke, por për refugjatët sirianë”, theksoi shefi i diplomacisë europiane.

Më tej Borrell tha se duhet të punohet së bashku në mënyrën më të mirë për çështje të tilla si mosmarrëveshja e ujërave territoriale, për respektimin e ujërave territoriale të Greqisë dhe pjesës së Qipros greke si dhe ndarja në mënyrë të barabartë e të ardhurave nga burimet natyrore.