RTSH 24 Live

Politikë

Borrell: Të nisim negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut! S’mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka

23/06/2022

Borrell: Të nisim negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut! S’mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka
Shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dhënë një mesazh të qartë sot (23 qershor) në Samitin e BE, duke kërkuar që të nisin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Borrrell është shprehur se BE nuk i ka mbajtur premtimet me dy vendet sa i takon çështjes së integrimit, teksa theksoi se Unioni duhet të zgjidhë problemin e vetos bullgare. Sipas Borrell, nuk mund të vazhdohet me një vend që bllokon gjithçka.

Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi në Ballkan, sot duhet të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time. Ka ende shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë parlamenti në Bullgari, por duket se nuk po shkon mirë. Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem, nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë", tha Borrell.

Këtë të enjte (23 qershor) do të mblidhet Samiti i BE, ku do të vendoset mbi fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, lidhur me perspektivën e anëtarësimit në BE. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Bullgari, ku ra qeveria, krijojnë pak shanse që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mund të marrin një përgjigje pozitive nga ky samit./ TGCOM

/rtsh.al/