RTSH 24 Live

Europë

Borrell: BE duhet ta mbajë Ballkanin në rrugën evropiane

11/07/2021

Borrell: BE duhet ta mbajë Ballkanin në rrugën evropiane

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell,tha  nga Dubrovniku se BE-ja duhet ta mbajë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.  “BE-ja është kombinimi më i mirë i lirive politike dhe i përparimit ekonomik, si dhe i solidaritetit shoqëror në botë. Ne nuk jemi të përsosur, por jemi më të mirët, prandaj duhet të vazhdojmë me të gjithë ata që e ndajnë vizionin tonë. Kjo do të thotë të ruajmë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ringjalljen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës”, tha Borrell. 
Ai tha se dalja nga pandemia e koronavirusit duket në horizont, por shtoi se të gjithë duhet të qëndrojnë zgjuar, për shkak të varianteve të reja që shfaqen. Borrell tërhoqi vërejtjen për përkeqësimin e situatës në Afrikë, ku vetëm tre për qind e popullatës është vaksinuar kundër koronavirusit, krahasuar me 60 për qind në Evropë. 
Borrell vlerësoi se një nga pasojat e pandemisë do të jetë “një botë gjithnjë e më e pasigurt, më pak e barabartë dhe më pak e lirë”. “Pabarazia do të jetë e dukshme jo vetëm midis vendeve, por edhe brenda secilit vend individual”, tha ai.
 Borrell tha se është e rëndësishme se si BE-ja do të pozicionohet në trekëndëshin me SHBA-në dhe Kinën, e cila, sipas tij, po bën zhvillim të mahnitshëm ekonomik, ndërsa ndikimi i saj po rritet në të gjithë botën.
Ai tha se beson se konkurrenca midis Kinës dhe SHBA-së do ta formojë botën në dekadat e ardhshme dhe se BE-ja duhet të vendosë një drejtim të qartë, “duke parë përmes syzeve të saj.