RTSH 24 Live

Rajon

Borell njofton se Kosova dhe Serbia, pajtohen të respektojnë marrëveshjen 

18/03/2023

Borell njofton se Kosova dhe Serbia, pajtohen të respektojnë marrëveshjen 

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell ka njoftuar të shtunë në mbrëmje se e Kosova dhe Serbia, pajtohen të respektojnë marrëveshjen që u pranua më 27 shkurt.

Zot Borrel foli për mediat pas një serie të gjatë takimesh prej afro 12 orësh  në Ohër me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Ne kemi pasur një ditë të gjatë. Shpreh falenderimin për pritjen nga miqtë maqedonas. Synimi sot ishte që palët të merren vesh se si të implementohet marrëveshja që u pranua më 27 shkurt. Sot çështja ishte se si të implementohet. Kjo nënkupton se si duhet të behet, nga kush, dhe kur. Kemi diskutuar për 12 orë. Kemi marrëveshje se si ta bëjmë. Palët janë pajtuar për Aneksin e Implementimit. Palët janë pajtuar të respektojnë të gjitha Nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë të gjitha obligimet. Ky rezultat erdhi pas negociatave të vështira”, ka deklaruar zoti Borell.

“Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.

Ky nen është parë si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani ka refuzuar që ta themelojë.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu tha se në takim, Kurti dhe Vuçiç kanë mbështetur "deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente".

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”. “Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, citon Radio Europa e Lirë. 

 

 

/ rtsh.al /