RTSH 24 Live

Ekonomi

Bordi i ERE-s miraton datën zyrtare të fillimit nga puna të bursës shqiptare të tregtimit të energjisë elektrike

17/05/2023

Bordi i ERE-s miraton datën zyrtare të fillimit nga puna të bursës shqiptare të tregtimit të energjisë elektrike

Bursa shqiptare e tregtimit të energjisë elektrike, ka tashmë datën zyrtare të fillimit nga puna. Vendimi i marrë nga bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), është botuar të mërkurën në fletore zyrtare.

“Bordi i ERE-s vendosi miratimin e Njësisë Kohore të Tregut që i përket orës 00:00 të datës 12.4.2023, si dita e fillimit të tregtimit në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.”- thuhet në vendimin e firmosur edhe nga kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti.    

Kush bëjnë pjesë në bursë

Në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike janë anëtarësuar shoqëritë publike të sektorit të energjisë, të tilla si Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a., Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) sh.a., Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) sh.a., Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a. dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a.

Testimet e bursës

Në bazë të vendimit të Bordit të ERE-s, shoqëria ALPEX sh.a. ka kryer disa periudha testimi nga muaji janar 2023 deri më datë 20 mars 2023 për të gjithë anëtarët potencialë të bursës dhe deri më datë 5.4.2023 ka kryer të gjitha testimet në Platformën e Tregtimit, si dhe ka testuar Platformën e Tregtimit, Klerimit dhe Menaxhimit të Riskut me Anëtarët e Bursës dhe Anëtarin e Përgjithshëm të Klerimit për të gjitha transaksionet e parashikuara.

“Shoqëria ALPEX sh.a. garanton se ka mjaftueshëm anëtarë burse dhe likuiditetin e nevojshëm për të filluar tregtimin, në mënyrë që çmimet të reflektojnë sinjalet e tregut dhe të prodhohen çmime për çdo njësi kohore tregu, po ashtu ka të garantuar suportin e ofruesit të shërbimit, në mënyrë që fillimi i operimit të jetë sa më i sigurt, si dhe për sa i përket fazës fillestare të operimit të BSHE-së, Platforma e Tregtimit, Klerimit dhe Menaxhimit të Riskut ka të implementuar vetëm Tregun e Ditës në Avancë dhe Urdhërporositë e Thjeshta.”- thuhet në vendim.

/rtsh.al/ a.meta/