RTSH 24 Live

Aktualitet

Bora bllokon Rrugën e Arbrit, devijohet qarkullimi në Qafë të Murrizit

30/11/2021

Bora bllokon Rrugën e Arbrit, devijohet qarkullimi në Qafë të Murrizit

Reshjet e borës që kanë rënë gjatë gjithë natës kanë bllokuar Rrugën e Arbrit në Qafë të Murrizit.

Për këtë arsye ditën e martë qarkullimi i mjeteve është devijuar.

Avaria në këtë rrugë që u hap për qarkullim ditën e djeshme nisi vetëm pak orë pas inaugurimit ku dhjetëra makina mbetën të bllokuara.

Për shkak të reshjeve të dëborës janë krijuar ngrica dhe vështirësi në rrugë, ku si pasojë qarkullohet vetëm me zinxhirë në akset rrugore Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë ; Bulqizë-Klos;  Klos-Qafë Murriz.

Aksi rrugor Klos-Mat- është i hapur, aktualisht pa probleme.

Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore  nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murriz, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të akullit e të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit, të rrisin vigjilencën si dhe të shmangin qarkullimin e pa nevojshëm.