RTSH 24 Live

Politikë

Bllokohen negociatat, Shqipëria penalizohet nga Maqedonia e Veriut

22/06/2021

Bllokohen negociatat, Shqipëria penalizohet nga Maqedonia e Veriut

Tashmë është zyrtare. Shqipëria duhet të presë. Zv.Presidentja e BE, Zacarias, ka konfirmuar se nuk ka ende vendim për çelje negociatash për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Paola Zacarias tha se sot nuk u arrit një dakordësi për caktimin e datës për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, megjithëse bisedimet ishin të gjata.

”Ne e nisëm ditën me bisedimet për zgjerimin. Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, ishte e pamundur që të arrijmë një dakordësi për mbajtjen e kornizën e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne shpresojmë se presidenca sllovene do të mund të arrijnë në përcaktimin e datës. Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një pjesë jetike e Bashkimit Evropian”, tha Zacarias

Kësaj radhe të gjitha shtetet ishin pro Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, ka bllokuar vendin tonë. Mbledhja e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg nuk prodhoi “tym të bardhë”, ashtu siç edhe pritej në fakt.

Edhe pse është hedhur si ide ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, një gjë e tillë nuk u pranua. Me heret Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth u shpreh kundër bllokimit të këtij procesi me dy shtetet ballkanike.

“Bëhet fjalë për besueshmërinë e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Në Këshillin e ministrave të BE-së do të diskutohet për fillimin e shpejtë të bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk e kuptoj pse vendimet e domosdoshme duhet të bllokohen nga konfliktet dypalëshe“.