RTSH 24 Live

Politikë

Bllokimi i aeroportit, Rama akuzon Berishën dhe Metën: Duan të marrin peng shtetin!

08/04/2021

Bllokimi i aeroportit, Rama akuzon Berishën dhe Metën: Duan të marrin peng shtetin!

Kryeministri Edi Rama nga Dropulli ka folur për bllokimin e aeroportit nga kontrollorët. Zoti Rama akuzon ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta për sulm të organizuar për pezullimin e fluturimeve në Rinas që solli edhe bllokimin e një sasie vaksinash.“Një plan i ndërtuar me ditë, duke menduar se ne do të kapeshim gafil dhe duke patur parasysh që kontrollorët e ajrit janë një strukturë shumë e posaçme që nuk zëvendësohen dot kollaj dhe duhen shumë kohë. Duke zgjedhur këtë moment që deri në 25 prill këtu të mos vaksinohet asnjeri, të shpërthejë një revoltë dëshpërimi. A e kuptoni sa afër, sa pak e ndan këtë vend nga rikthimi mbrapsht në të shkuarën që duket sikur është e shkuar dhe e harruar, përsa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për të rimarrë peng vendin, drejtësinë, shtetin dhe për të shkatërruar të gjitha ato që kemi ndërtuar, si një mallkim që vazhdon.” akuzoi zoti Rama.
Nga ana tjetër kryeministri akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se po hesht për kaosin në Rinas sepse sipas tij është kukull në duart e presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.“Ajo që ka ndodhur është një kambanë alarmi për të gjithë. Lulzim Basha është një kukull. Ku është Lulzim Basha, ku është? Çfarë mendon ai për bllokimin e aeroportit, vetëm pak javë përpara stërvitjes më të madhe të bërë ndonjëherë këtu në të gjithë rajonin tonë. Si mund të bëhet Shqipëria lolo? Ku duan të dinë ata për këtë! Ata kanë kaq vite që vetëm për këtë angazhohen, për të baltosur Shqipërinë dhe për të shpërndarë në të gjithë Evropën lloj-lloj baltrash dhe llumrash. Lulzim Basha është një kukull që ju afrohet njerëzve me një fytyrë të buzëqeshur me shpresën që njerëzit do të harrojnë që kur ka qenë kryetar bashkie, fjeti gjumë. Hesht, hesht dhe vazhdon takimet duke dhënë premtime" tha kryeministri Rama.