RTSH 24 Live

Kosova

Bllokada në veri të Kosovës, qeveria shtyn me 1 muaj reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet serbe

01/08/2022

Bllokada në veri të Kosovës, qeveria shtyn me 1 muaj reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet serbe

Shtyhet me 30 ditë vendimi i qeverisë së Kosovës për implementimin e vendimit për reciprocitetin për mjetet e identifikimit dhe targat serbe.

Sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës në rrjetin social Facebook, vendimet për targat dhe letër njoftimet serbe do të shtyhen me një muaj nëse në veri të Kosovës do të hiqen barrikadat dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes.

"Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës

Prishtinë, 31 korrik 2022

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin", thuhet në njoftim.

/rtsh.al/