RTSH 24 Live

Lifestyle

Blero, rikthimi tek dashuria e parë dhe planet për recitalin në 3 kryeqytete

23/03/2023

Blero, rikthimi tek dashuria e parë dhe planet për recitalin në 3 kryeqytete
Ne foto: Blero

Blero, ishte i ftuari i Andri Xhahut në emisionin “Në radio” që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1. Intervista nisi me një reflektim për karrierën 20-vjeçare të artistit nga Kosova. “Jam falënderues ndaj Zotit për mundësinë që të punoj dhe jetoj prej punës që bëj, sepse ka pak njerëz në botë që munden të jetojnë prej asaj që e duan dhe e kanë pasion. Këto dy dekada kanë qenë të jashtëzakonshme, me suksese, me ulje dhe ngritje. Aq shumë kam mësuar nga muzika, sa jam pasuruar shumë shpirtërisht. Jam i bekuar!”

Gjatë dy dekadave karrierë muzikore, Blero ka marrë disa mësime të rëndësishme. “Mësimi më i madh është që të mos dorëzohesh kurrë përballë ëndrrës tënde. Ata që nuk dorëzohen, dalin fitues. Tjetra është që unë jam futur në “shoëbiz” me pastërti shpirtërore ekstremisht të madhe, por ka momente që jam zhgënjyer dhe jam thyer shumë shpirtërisht prej disa njerëzve gjatë rrugëtimit tim.”

Duke u ndalur te kënga e parë “Kthehu ti”, që e bëri të njohur, Blero e konsideron atë si dashurinë e parë.

“Kënga “Kthehu ti” më njohu me botën e skenës, më solli në qendër të vëmendjes. Është si dashuria e parë. Mbetet më e veçanta sepse e kam kompozuar dhe e kam shkruar vetë tekstin. Është punë shpirti.” Blero zbulon se kjo këngë do të rikthehet e përpunuar nga vetë ai dhe Bing Bang. “Është një version “deep house”, besoj se do të na shoqërojë gjithë verën me një energji fantastike. Është e kënduar nga një vajzë nga Shqipëria. E ka kënduar aq bukur sa na ka magjepsur.”

Ne foto: Blero

Blero njihet për hitet që i kanë rezistuar kohës. Po pse nuk ndodh e njëjta gjë me këngët që krijohen sot nga artistët shqiptarë? “Nuk dua të gjykoj por komponimi i këngëve sot nuk është si më parë. Këngët nuk kanë jetëgjatësi dhe as nuk mbahen mend. Ka të bëjë me dinamikën dhe turrjen e artistëve që të lançojnë sa më shumë këngë dhe të jenë sa më “in” duke bërë që projektet të mbytin njëra-tjetrën.” Ai shprehet i keqardhur për një tendencë të tillë. Nëse do të ndiqte këtë ritëm, Blero shprehet se aq shumë demo sa ka, mund të publikonte dy këngë dhe videoklipe në ditë. “Për mua muzika është vetë jeta dhe energjia. Duhet të më vijë frekuenca e duhur për të ekzekutuar një projekt të caktuar. Nuk bëj planifikime biznesi në muzikë. Është e drejtë për këdo që e bën, por unë punoj në një formë pak më ndryshe. Kur jam në skenë e lë shpirtin aty.”

Artisti tregon ekskluzivisht se e gjithë energjia dhe puna e tij është fokusuar te koncerti recital, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm. “Do të performoj këngët e mia dhe do të mbledh të gjithë artistët me të cilët kam punuar. Do të kem të ftuar një numër të limituar të fansave, më të flaktët ndër vite, që do kenë rastin ta shohin nga afër. Fansat që janë rritur me këngët e mia dua që të jenë aty. Recitalin do ta realizoj në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë.”

Duke u ndalur te projektet e reja, Blero flet edhe për një spektakël talentesh, në të cilin do të jetë në rolin e producentit. “Është një talent-shoë që po e punoj me ekipin dhe bashkëpunëtorët e mi. Do të jetë në formën e një reality-shoë sepse producentët dhe këngëtarët do të jetojnë bashkë. Do të kemi mundësi të shohim si krijohet një këngë, çfarë energjie ka gjatë punimit të një kënge ose videoklipi. Do të jetë shumë interaktive. Do të jetë një super spektakël.”

Blero premton se shumë shpejt do të publikohet edhe kënga e tij e re. “Javën tjetër do të lançoj një këngë shumë të bukur. Më në fund jam vetëmbushur. Kjo është e rëndësishme sepse kështu publiku mund të marrë energjinë pozitive dhe të bukurën prej këngës. Do të jetë një baladë me një ritëm interesant.” 

/rtsh.al/