RTSH 24 Live

Kronika

Bizneset e vogla 0 taksa deri në 2029, Ahmetaj takime në njësinë 4: Mandati i tretë për ndërtimin e Shqipërisë 2030

07/04/2021

Bizneset e vogla 0 taksa deri në 2029, Ahmetaj takime në njësinë 4: Mandati i tretë për ndërtimin e Shqipërisë 2030

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili kandidon për PS në Tiranë zhvilloi sot takime me bizneset e vogla në njësinë 4.

Ahmetaj u shpreh se, bizneset e vogla kanë zero taksa deri në 2029.

Ahmetaj takoi gjithashtu edhe qytetarët dhe familjet që, u shpreh ai, “çdo ditë na hapin dyert e na mirëpresin në shtëpitë e tyre”.

“Mirënjohës për besimin dhe mbështetjen për Partinë Socialiste dhe mandatin e tretë, që është një mandat për punën, për të çuar deri në fund rrugën e nisur për ndërtimin e Shqipërisë 2030, Shqipërisë së gjeneratës tjetër”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj takoi një qytetar banesa e të cilit është dëmtuar nga tërmeti dhe tashmë trajtohet me bonus qeraje.

“Do të rindërtohet këtu, jeni 6 veta në familje do rindërtohet 105 metra2”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj vizitoi edhe disa biznese familjare, duke u shprehur se, “të gjitha këto biznese familjare, që janë  të vogla gëzojnë taksën zero që nga 1 janari i këtij viti, deri në vitin 2029. Politikë e qëndrueshme e qeverisë në favor të punësimit nga biznesi i vogël”.

Ahmetaj takoi edhe një pensioniste, të cilës i tha se “patjetër kemi politikë të rritjes së pensionit, por atë pagesën e solidaritetit në fund të vitit që ju e merrni si pensionistë çdo vit, në fund të vitit si shpërblim të fundvitit, ajo do kthehet tashmë si politikë stabël, do jetë brenda pensionit çdo vit. Dhe çdo vit do dyfishohet. Pra viti i parë do të dyfishohet, deri kur të katërfishohet në vitin e fundit të mandatit të tretë. Mendohet që në këtë mënyrë dhe me indeksimin, të rritet pensioni nga 5-6% çdo vit. Në fakt e vërteta është që ne e kemi rritur rreth 5% pensionin çdo vit me kombinimin e pagesës së solidaritetit”.

“Ka dhe një element tjetër. Ne tani e lejojmë që një pensionist të punësohet. Pra punon pranë biznesit të familjes të marrë edhe pensionin. Se dikur ishte që o këtë, o atë. Tani nuk ka rëndësi ti i ke të dyja dhe është një lehtësi shumë e madhe për pensionistët”, theksoi Ahmetaj.

Duke folur për vaksinat në një vizitë në një familje, Ahmetaj tha se, “deri në fund të Majit ne do kemi vaksinuar 500 mijë qytetarë. Po të shohësh tani numrat janë në rënie, hospitalizimet janë në rënie. Ata që janë në gjendje të rëndë janë në rënie”.

“Vaksinimi në masë të gjerë do sjellë një stinë turizmi shumë të bukur edhe të lirë”, tha Ahmetaj.