RTSH 24 Live

Sociale

Bileta elektronike në shërbimin urban, mënyra si do të realizohet

15/05/2022

Bileta elektronike në shërbimin urban, mënyra si do të realizohet
Foto ilustruese

Nga 1 Janar 2023 nuk do të ketë bileta të printuara që merren nga fatorinot sapo ju hipni në autobusët e linjës në Tiranë dhe në rrethe. Qeveria ka kërkuar dhe do të zbatojë një sistem të ri biletimi, që është i ngjashëm me këtë proces në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas vendimit të fundit,  “Në transportin ndërqytetas, prerja e biletave të bëhet nëpërmjet përdorimit të sistemit e-Transport, nga agjencia e transportit ose nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit, të instaluara në mjete të transportit rrugor, të integruara me sistemin e-Transport”. Sistemi garanton edhe garantojë ciklin e plotë fiskal të biletës. Pra janë bileta të fiskalizuara, njëlloj si kuponët tatimore.

Po si do të realizohet?  

Sistemi është i thjeshtë dhe duhet instaluar në celularin tuaj. Bëhet fjalë për sistemin elektronik e-Transport, që realizon menaxhimin elektronik, në kohë reale, të biletave të prera.

Platforma elektronike e-Transport garanton ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, deri edhe rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit, në linjat ndërqytetëse.

Ky është një investim i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që do përmirësojë jetën e qytetarëve.

Sipas AKSHI-t, ky investim do të lehtësojë transportin e qytetarëve, të cilët do kenë mundësi të presin biletat online përmes telefonit.

Projekti do të formalizojë tregun e transportit, do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke larguar informalitetin në treg, ulur kostot dhe rritur konkurrencën në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

I gjithë procesi do të kryhet online, ku tashmë të gjithë qytetaret dhe bizneset janë të ndërgjegjshëm për efektet pozitive që vijnë nga kjo mënyrë ofrimi shërbimi.

Vlera e përafërt e përllogaritur për implementimin e sistemit e-transport është rreth 140 milionë lekë,  mirëmbajtja do të sigurohet për një periudhe 4 (katër) vjeçare me një vlerë të përafërt  prej 60 milionë lekësh.

Platforma e-Transport ofrohet falas për 520 linja, 242 operatorë dhe 2 mijë e 282 mjete. Platforma e-Transport do të shërbejë si kontrollor të fluksit për më shumë se 50 milionë pasagjerë.

Ndërsa qeveria ka siguruar se sistemi i ri do të fillojë të përdoret duke nisur nga 1 Janar 2023.

/rtsh/