RTSH 24 Live

Kronika

Bilanci i policisë/ 27 operacione në një javë, mes tyre ‘Plumbi i Artë” ku u goditën 8 grupe kriminale dhe kokaina e kapur në Portin e Durrësit

22/05/2022

Bilanci i policisë/ 27 operacione në një javë, mes tyre ‘Plumbi i Artë” ku u goditën 8 grupe kriminale dhe kokaina e kapur në Portin e Durrësit

27 operacione që vunë në pranga 144 persona, 360 të tjerë nën hetim dhe 26 në kërkim janë zhvilluar vetëm në një javë nga Policia e Shteti. Dy nga operacionet më të mëdha ishin “Plumbi i Artë” ku u goditën 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe përfunduan në pranga 18 persona, ndërsa 14 të tjerë janë ende në kërkim, mes të cilëve dhe kokat e grupit. Gjithashtu një tjetër operacion është kapja e 59 kg kokainë në portit e Durrësit e fshehur në një anije me qymyr.

Operacionet e tjera kanë të bëjnë me arrestimet e personave në kërkim, trafikun e narkotikëve, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe krimeve ekonomike në të gjithë vendin.

Gjatë kësaj jave kapur në total 43 persona në kërkim, 39 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar dhe janë zhvilluar 27 operacione policore, të koduara: “Black”, “Camouflage 6’’, ‘’Camouflage 7”, “Two”, “Extortion”, “Tracing”, “Sei”, “Tranzit 17”, “Gjurmimi”, “Piaza”, “Cloned key”, “Dealers 2”, “Livadhi”, “Bamatati”, “Butrinti”, “Radomira”, “ROAD GUARD 19”, “Samos”, “Servisi”, “Barrikada”, “Perimetri”, “Basti i fundit”, “Ishulli”, “Bratosh”, “Luzi”, “Black Cargo”, të cilat kulmuan me operacionin policor “Golden bullet”.

“Operacioni policor i koduar “Golden bullet” u zhvillua për goditjen e grupeve kriminale që vepronin në fushën e krimeve të rënda ndaj personit, në kuadër të të cilit, deri tani, janë ekzekutuar 18 masa sigurie dhe janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale. Operacioni është në vijim.  Në Portin e Durrësit është duke vijuar operacioni policor i koduar “Black Cargo”, për goditjen e  trafikimit të drogave të forta, gjatë të cilit, deri tani, janë sekuestruar 59 kg kokainë”, shkruan policia

Nga operacionet janë sekuestrua dhjetëra doza me kanabis, heroinë dhe kokainë, 190000 fara kanabisi, vaj kanabisi, qindra bimë narkotike, pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabandë, rreth 32000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, radio policie, 1 automjet i vjedhur dhe çelësa të klonuar që shërbenin për të vjedhur automjete. 

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 18 raste dhe janë sekuestruar 8 armë zjarri, 1 pistoletë sinjalizuese, 8 thika, doreza metalike, 1 shkop bejsbolli, municion luftarak etj. Janë goditur 6 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 45 raste të dhunës në familje. Janë evidentuar dhe goditur 32 raste të krimeve mjedisore; 7 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 34 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 32 raste.

Prangave nuk u kanë shpëtuar as drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, ku gjatë kësaj jave janë pezulluar 656 leje drejtimi, nga të cilat  496 për tejkalim shpejtësie mbi normat e lejuara, 111 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 49 për qarkullim në sens të kundërt. 

Janë arrestuar 69 drejtues mjetesh, nga këta: 23 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 46 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Gjithashtu janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, njëri prej tyre për drejtim automjeti nën efektin e lëndëve narkotike dhe njëri për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore. Janë vendosur 17553 masa administrative, si dhe janë zhvilluar kontrolle të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe për respektimin e vijave të bardha.

Në kontrollet nga policia kufitare janë kapur 12 shtetas në kërkim, nga të cilët 8 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar. Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 4 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Janë goditur 2 raste të paligjshmërisë, një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet pikave të kalimit kufitar dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.  Gjithashtu, janë goditur 3 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.

/rtsh.al/