Presidenti Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden, mbërritën me avion të premten në Hjuston, qyteti më i madh i Teksasit, ku u pritën nga guvernatori republikan Greg Abbot dhe kryebashkiaku i Hjustonit Sylvester Turner.
Presidenti vizitoi një depo ushqimesh në qytet dhe një qendër operacionale për emergjencat. Më vonë, ai foli në një mjedis vaksinimi ndaj COVID-19, të ngritur në një stadium nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA).
Të paktën 40 njerëz në Teksas u vranë kur stuhia e dimrit përfshiu shtetet e jugut amerikan në mes të shkurtit. Teksasi u godit më shumë nga temperaturat e ftohta të pazakonta që shkaktuan ndërprerje energjie dhe bënë që tubat e ujit të ngrinin dhe të shpërthenin, duke përmbytur shtëpitë dhe duke lënë shumë njerëz pa nxehtësi dhe ujë të pijshëm.
Temperaturat në rajon po rikthehen në normalitet, por më shumë se 1 milion banorë të Teksasit janë ende të udhëzuar ta ziejnë ujin para se ta pinë atë.
Ndërsa Presidenti demokrat Biden takohej me udhëheqësit lokalë dhe vullnetarët për të diskutuar përpjekjet e ndihmës dhe rimëkëmbjes, ai shoqërohej nga guvernatori republikan, i cili fillimisht nuk e njohu fitoren e Biden në nëntor ndaj Donald Trump-it.
Presidenti Biden ka shpallur gjendjen e katastrofës në 108 nga 254 qarqet e këtij shteti dhe sinjalizoi se mund ta rrisë numrin. Guvernatori Abbott i kërkoi Presidentit Biden javën e kaluar të shpallte gjendjen e katastrofës në të gjitha qarqet.
Gjatë vizitës, e para e Presidentit Biden në një vend katastrofe që kur mori detyrën gati gjashtë javë më parë, ai gjithashtu planifikoi të inkurajojë njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19 për të ndihmuar në ngadalësimin e pandemisë që ka vrarë më shumë se 508'000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.