RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: SPAK të zbardhë rolin e Bardhit në vrasjen në Elbasan! Deputeti i PD: Je ortak me bandat, vetëm shpifja të ka mbetur

27/05/2022

Berisha: SPAK të zbardhë rolin e Bardhit në vrasjen në Elbasan! Deputeti i PD: Je ortak me bandat, vetëm shpifja të ka mbetur

Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi janë përplasur sërish në distancë mes tyre lidhur me vrasjen  e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Teksa Berisha këmbëngul që Gazmend Bardhi po lufton ‘për të shpëtuar shpirtin’, i bën thirrje SPAK që të hetojë vrasjen në Elbasan.

“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij, unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por prapë është i pashpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut, të zbardhë rolin që ka pasur në vrasjen e Elbasanit, Bardhi dhe Balla janë përgjegjës politik për atë gjakderdhje që ndodhi. Të shkojë dhe të japë sqarime”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Për Bardhin, deklaratat e Berishës janë shpifje si arma e vetme që i ka mbetur për të bërë politikë. Ai akuzon Berishën se është i lidhur me bandat, dhe prandaj nuk i denoncon ato.

‘Shpifja është i vetmi mjet që i ka mbetur Sali Berishës për të bërë politikë. Ai e di shumë mirë se roli im në Elbasan ka qenë dyfishimi i mandateve për PD nga 3 në 6 mandate përballë terrorit të bandave të pushtetit, që sot janë në ortakëri me Sali Berishën. Sot e kësaj dite nuk ka asnjë deklaratë të SB për t’u distancuar nga ndërhyrja e bandave të Elbasanit në punët e Foltores. Me shpifje as nuk mbulon dot të vërtetën, as nuk shkon dot larg’, shkruan Bardhi.

Pjerin Xhuvani u vra pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, nga anëtarë të Strukturës për Mbrojtjen e Votës, e ngritur nga PD, me dyshimin se po blinte vota për PS-në.

/rtsh.al/