RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Shqipëria është në rrokullisje! Ndryshimi është në dorën tonë !

31/03/2023

Berisha: Shqipëria është në rrokullisje! Ndryshimi është në dorën tonë !

Ish kryeministri dhe kreu i Rithemelimit në PD Sali Berisha ka shprehur shqetësimin se Shqipëria është në rokullisje e sipër dhe se vetëm rikthimi i PD në pushtet mund ta ndali përkeqësimin e gjendjes.

Duke folur të premten në prezantimin e  kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Vau Dejës, Zef Hila, zoti Berisha, kujtoi kohën kur në pushtet ishte PD. "Ne ja dolëm të ngrihemi nga niveli i kombeve me të ardhura të ulëta, me 200 dollarë për frymë në 1992, në nivelin e kombeve me të ardhura të mesme të larta në 2008. Ja dolëm të kemi rrogat më të larta në rajon. Prap nuk ishim të mëkëmbur, por përmirësimi i përvitshëm ishte shpresëplotë, na mbushte me shpresë, na motivonte për të punuar, me një besim se çdo vit do të ishte më mirë" tha zoti Berisha. 

Ai shprehu shqetësimin për largimet nga Shqipëria që e quajti katastrofë. "Nga 2014 gjer në vitin 2022 nga Vau u Dejës kanë ikur 35% e banorëve. Nga Shkodra 35 % e banorëve, nga Vlora 38% e banorëve, nga Shqipëria 35% e banorëve, pra jemi pakësuar me 1/3. Dramatike, kjo është katastrofë. Asnjë komb, kurrë nuk ka humbur në 8 vite 1/3 e popullatës së vet" tha zoti Berisha. "Imagjinoni për një moment në rast se vazhdohet me këtë mënyrë. 8 vitet e ardhshme po kaq dhe pas 16 viteve kush do të mbetet në Shqipëri, sa do të mbeten në Shqipëri" shtoi ai.

Për kreun e Rithemelimit Sali Berisha " Shqipëria është në një rrokullisje që nuk e ka pasur kurrë në historinë e saj". "Të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë gjendje, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë dhe kjo është në dorën tonë. Me 14 maj ne kemi votën tonë për të votuar ndryshimin, për të votuar shpresën, për të votuar besimin, për të votuar për vete, fëmijët, për të gjithë ata që janë larguar nga Shqipëria, për të votuar të ardhmen në këtë vend: tha zoti Berisha. "Ndaj dhe ju bëj thirrje të bashkohemi, të bashkohemi sot më shumë se kurrë!" ishte thirrja e ish kryeministri dhe kreu i Rithemelimit në PD Sali Berisha.

/ rtsh.al /