RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Nuk ka Samit pa protestë! Më 6 dhjetor, populli opozitar i tëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

02/12/2022

Berisha: Nuk ka Samit pa protestë! Më 6 dhjetor, populli opozitar i tëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka theksuar sërish se nuk do të tërhiqet nga organizimi i protestës më 6 dhjetor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ditë në të cilën do të zhvillohet në Tiranë Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Gjatë një takimi me banorët e degës numër 7 në Tiranë, Berisha tha se nuk ka Samit pa protestë, teksa shton se, sipas tij, e njëjta gjë ndodh edhe në vendet e tjera të Europës.

Ne do të ndjekim shembullin e qytetarëve të lirë të Francës, Italisë, Anglisë, SHBA-së, Gjermanisë dhe të çdo vendi tjetër të cilët në çdo samit të lidërve të Europës apo botës, pavarësisht se gëzojnë liritë dhe të drejta pakrahasimisht më shumë se ne janë në protestë. Nuk ka samit pa protestë. Të tilla ndodhin vetëm në vende diktatoriale ku protestat janë të ndaluara, ku diktatorët mblidhen dhe nuk pipëtin asgjë. Edi Rama po bën gjithçka për të krijuar këtë tabllo dhe në Shqipëri, por ne kurrë nuk do ta lejojmë. Ne do të jemi në shesh me të madh e të vogël”, tha Berisha.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shtuar se protesta, sipas tij, do të jetë më evropiania që shqiptarët kanë organizuar.  

 “Shpreh kënaqësinë që takohem me ju, në prag të dy ngjarjeve shumë të veçanta në historinë e Shqipërisë, të PD-së dhe popullit opozitar.  Këto ngjarje janë, protesta, do ta quaja më europiane që shqiptarët kanë organizuar pas dhjetorit të vitit 1991, protestë në të cilën populli opozitar do të jetë i tëri në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një mision të madh, për të përfaqësuar aty, përkushtimin, vlerësimin, qëndrimin ndaj vlerave të demokracisë, dhe atyre evropiane. Njerëzit të cilët kanë respekt për lirinë, dinjitetin e tyre, të drejtat e tyre, përdorin protestën si zë të tyre. Përdorin protestën për të dëshmuar se asgjë nuk mund të mposhtë të drejtën e tyre për tu dëgjuar. Njerëzit të cilët tremben, kanë frikë, zgjedhin heshtjen, ngushëllojnë veten me ç’më duhet mua dhe vazhdojnë në orbitën e njerëzve të shtypur”, u shpreh Berisha.

Më 6 dhjetor, në Tiranë do të organizohet Samiti BE-Ballkani perëndimor dhe për arsye sigurie, Berishës nuk iu dha leje për organizimin e protestës së paralajmëruar prej tij në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pavarësisht kësaj, Berisha këmbëngul në mbajtjen e protestës në Bulevard, vendim që është dënuar nga maxhoranca, duke e konsideruar si veprim kundër BE.

/rtsh.al/