RTSH 24 Live

Politikë

Berisha në mbrojtje të Salianjit: Të bashkohemi në këtë betejë kundër terrorit e dhunës ndaj opozitës!

3 orë para

Berisha në mbrojtje të Salianjit: Të bashkohemi në këtë betejë kundër terrorit e dhunës ndaj opozitës!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, shprehu sërish mbështetjen e tij për Ervin Salianjin, Deputetin e Partisë Demokratike, që u vetëdorëzua të premten në Policinë e Tiranës, pasi Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, duke e dënuar me 1 vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të Rremë”.

Gjatë fjalimit në një tubim pranë banesës së tij, ku gjendet në arrest shtëpie,  zoti Berisha ka shprehur përkrahjen e tij për Ervin Salianjin, duke e përshkruar atë si një qytetar të burgosur padrejtësisht në Evropë.

“Burgosja  e n/kryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji nuk erdhi në këtë regjim si rrufe në qiell të hapur. Jo, erdhi si një akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë, për një Shqipëri parajsë të krimit, për një Shqipëri të zbrazur nga shqiptarët”, u shpreh Berisha.

“Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, iu bëj thirrje të gjithë opozitarëve të bashkohemi në këtë betejë. Beteja për qeverinë teknike, beteja kundër terrorit dhe dhunës ndaj opozitës. Është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari të ndershëm. Është betejë për interesin kombëtar të shqiptarëve, betejë për interesin e Shqipërisë. Ndaj kush e ndien veten shqiptar të bashkohemi me guxim”, u shpreh Berisha.


/ rtsh.al /