RTSH 24 Live

Politikë

Berisha në krye të selisë blu? Kim: Qëndrimi ndaj non grata-ve i qartë,  fatkeqësi nëse s’do kishim marrëdhënie normale me PD

12/05/2022

Berisha në krye të selisë blu? Kim: Qëndrimi ndaj non grata-ve i qartë,  fatkeqësi nëse s’do kishim marrëdhënie normale me PD

Nëse Sali Berisha do të merrte kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 majit, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, marrëdhëniet mes PD dhe partnerit strategjik të Shqipërisë nuk do të ishin normale. Ambasadorja Yuri Kim tha se qëndrimi i SHBA-së ndaj personave ‘non grata’ është i qartë, ndërsa thekson se Berisha është në listën e zezë për ‘korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për personat të cilët janë shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë është shumë i qartë. Prandaj nuk do ta përsëris sërish. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë”, tha Kim.

Lidhur me akuza se po ndërhyn në  punët e brendshme të opozitës, ambasadorja Kim tha se “gabohen, me gjithë respektin, janë gabim. Ne nuk u themi njerëzve se për cilin të votojnë, qoftë në zgjedhje apo brenda në parti. Ajo që ne bëjmë është të japim faktet dhe bëjmë të qartë se cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara.”

Ambasadorja Kim komentoi edhe peticion kundër saj, ku tha se ajo nuk “është me pushime “ në Shqipëri dhe se qëndrimet nuk janë personale por të SHBA-së.

“Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin. Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu. Unë përfaqësoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe flas në emër të Shteteve të Bashkuara”, shtoi Kim.

/rtsh.al/