RTSH 24 Live

Politikë

Berisha me FRPD: Rinisë i është varrë shpresa, do dalim në shesh për çdo kauzë të drejtë

04/07/2022

Berisha me FRPD: Rinisë i është varrë shpresa, do dalim në shesh për çdo kauzë të drejtë

Opozita do të jetë aty për të protestuar në shesh për çdo kauzë të drejtë. Ky ishte mesazhi që kreu i PD i zgjedhur përmes procesit të zhvilluar nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha u dha të rinjve të FRPD gjatë një takimi tij për të mobilizuar njerëzit në protestën e 7 korrikut.

Berisha tha se të rinjve sot në vend u është varrë shpresa dhe kanë krijuar bindjen se Shqipëria nuk ‘bëhet’ dhe për këtë zgjedhin të ikin nga vendi i tyre.

“Kanë arritur të godasin, të rrënojnë, duhet të jemi realist me shumë se këdo tjetër, brezin e ri të vendit. Kanë arritur t’i vrasin shpresën, kanë arritur t’i krijojnë bindjen atij se ky vend nuk bëhet. Dhe e vërteta është se nuk ka goditje më të madhe për Shqipërinë se sa mendimi i shqiptarëve se ky vend nuk bëhet. Ajo është goditje fatale për vendin nëse nuk e ndryshojmë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh opozita do të mbrojë çdo kauzë të drejtë dhe se do të dalë në shesh për të protestuar kundër çdo padrejtësie dhe se më 7 korrik do të jetë edhe fillimi që do e çojë PD drejt fitores.

“Në dorë e keni ju, e ka rinia shqiptare. Të rinjtë e Forumit Rinor, të dalin në krye të kësaj lëvizje dhe kam besim se 7 korriku shënon një fillim të ri, të madh që do të çojë PD drejt fitores së sigurt të autokracisë elektorale.  Ekzekutimi në derë të shtëpisë të të riut Rasha pas shpinës , janë një seri rastesh të tilla, këto nuk do të përsëriten kurrë më. Edhe Astiri, një qëndresë qytetarë heroike, 420 ditë, mbështetje e kufizuar, Teatri histori turpi për opozitën, histori nderi për protestuesit. Opozita nuk gjente motive për të mbrojtur një simbol si Teatri. Ne nuk pyesim ma për asgjë, ne si demokratë do të dalim në shesh për çdo kauzë të drejtë”, tha Berisha.

/rtsh.al/