RTSH 24 Live

Politikë

Begaj takon Kurtin: Mbështes të drejtën legjitime të Kosovës, për vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit

15/08/2022

Begaj takon Kurtin: Mbështes të drejtën legjitime të Kosovës, për vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit

Presidenti Bajram Begaj, pas takimit me Osmanin dhe Konjufcën, ka zhvilluar sot pasdite edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës 2 ditore të kreut të shtetit shqiptar në Kosovë. Presidenti Begaj, në këtë takim, ka deklaruar se Kosova dhe institucionet e saj do të gjejnë tek ai një mbështetës besnik dhe mik të palëkundur të interesave të tyre.

Presidenti Begaj, në takimin me Kurtin, ka përshëndetur angazhimin e dy qeverive për zhvillimin e një Kuvendi Kombëtar më 28 nëntor 2022, moment që, sipas tij, “do të përcjellë për mbarë popullit shqiptar dhe bashkësisë ndërkombëtare mesazhe të unitetit të faktorit shqiptar dhe aspiratave tona për zhvillim, paqe dhe vlerat më të mira demokratike”.

Presidenti i Republikës ka përshëndetur maturinë e institucioneve të Kosovës në përballimin e krizës së 31 korrikut, si dhe mbështeti të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në.

Edhe në takimin me kryeministrin Kurti, Presidenti Begaj theksoi se, abetarja e përbashkët do të jetë gati për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe do të punohet për projektin madhor të Enciklopedisë shqiptare.

/rtsh.al/