RTSH 24 Live

Politikë

Begaj nis konsultimet me partitë për zgjedhjet 2023! Meta: S’ka rëndësi data, të rikthehet pluralizmi! Mediu: 14 maj, dita më e mirë

04/10/2022

Begaj nis konsultimet me partitë për zgjedhjet 2023! Meta: S’ka rëndësi data, të rikthehet pluralizmi! Mediu: 14 maj, dita më e mirë

Vendosja e një date për zgjedhjet vendore 2023 ka bërë që presidenti Bajram Begaj të nis konsultat me partitë politike. Gjatë ditës së sotme duke nisur nga ora 13.00 presidenti do të zhvillojë takime me krerët e partive për t’u konsultuar mbi një datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Në takim me Begajn ka qenë edhe Ilir Meta, i cili tha për mediat se nuk është e rëndësishme data, por që në vend të rikthehet pluralizmi.

“Rikthimi i opozitës në këshillat bashkiakë do japë kontribut për forcimin e llogaridhënies në kuvend. Data konkret i takon presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo më shumë është e rëndësishme, është ai që duhet të gjykojë pasi ka dëgjuar të gjithë aktorët. E rëndësishme është që data të dihet sa më parë, partitë të marrin masa për tu përgatitur për zgjedhje dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë për kandidatët të dinë datën e kësaj feste të demokracisë”, tha Meta. 

Me presidentin Begaj zhvilloi takim edhe krerët e partive të vogla, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi,  Vangjel Dule dhe Agron Duka.  Mediu tha se data 14 maj është data më e mirë për zgjedhjet vendore 2023 pasi u jep kohë reformave të territoriale dhe asaj zgjedhore.

“Menduam që data 14 është data më e fundit, është data më e mirë, duke pasur në konsideratë dy reforma shumë të rëndësishme, territoriale që kërkon kohën e vet për implementim nëse arrihet konsensus, dhe reforma zgjedhore. Mendimi ynë është për 14 majin”, tha Mediu.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen në periudhat 15 prill deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor.

/rtsh.al/