RTSH 24 Live

Rajon

BE thirrje për uljen e tensioneve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë: Qeveritë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën

27/01/2023

BE thirrje për uljen e tensioneve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë: Qeveritë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën

Pas ftohjes së marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes dhe tërheqjes së ambasadorit bullgar nga Maqedonia, BE-ja ka bërë thirrje që të qetësohen tensionet dhe të dy qeveritë të vazhdojnë komunikimin dhe të zbatojnë Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë.

BE thekson se është në interes të Bullgarisë dhe Maqedonisë që të ruajnë marrëdhënie të mira fqinjësore si dhe të dyja qeveritë të vazhdojnë të bisedojnë, sepse Brukseli nuk dëshiron të importojë mosmarrëveshje.

Sipas BE-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit dhe në këtë kontekst, nga të gjitha palët pritet me mirëbesim zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe, si Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

Sa i përket deklaratave të eurodeputetit bullgar Angel Xhamaski, me të cilat ai shprehte pretendime territoriale ndaj RMV-së, ka reaguar edhe ambasadori evropian David Geer, i cili i dënoi qëndrimet e tilla dhe i cilësoi të papranueshme.

Geer u shpreh se Parlamenti Evropian dhe Ministria e Jashtme bullgare u distancuan nga këto deklarata dhe nënvizoi se pretendime të tilla nuk përfaqësojnë BE-në.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se “në lidhje me ngjarjet që pushtojnë opinionin pas ngjarjes në Ohër dhe retorikën e shkaktuar prej saj mund të them se në Maqedoninë e Veriut nuk ka urrejtje dhe histeri antibullgare siç dëshiron dikush”.

“Për incidentet e fundit dhe të gjitha të tjerat, ka persona përgjegjës, këto janë vepra të individëve dhe nuk mund të fajësohet i gjithë shteti dhe kombi për veprimet e disa individëve. Maqedonia i merr të gjitha veprimet në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe procedurat në ministritë dhe organet kompetente që nuk janë pjesë e Qeverisë dhe vazhdon të jetë partner konstruktiv në rajon dhe në BE”, theksoi Kovaçevski.

/rtsh.al/