RTSH 24 Live

Kosova

BE miraton liberalizimin e vizave për Kosovën nga janari i vitit 2024

22/11/2022

BE miraton liberalizimin e vizave për Kosovën nga janari i vitit 2024

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023. Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.

Sipas propozimit të miratuar të martën, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024". Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën.

Liberalizimi i vizave do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane./ REL

/rtsh.al/